Mesfushori belg

Guardiola paralajmëron rikthimin e De Bruynes

Kevin De Bruyne është përballur me një sërë problemesh me lëndime gjatë këtij sezoni por mesfushori i Manchester Cityt është pranë rikthimit në fushë, ka konfirmuar Pep Guardiola.

27 vjeçari i ka zhvilluar vetëm 5 paraqitje këtë stinor pasi që fillimisht i kishte dëmtuar ligamentet e gjurit të djathtë në gusht, teksa sapo u rikthye, pësoi një tjetër lëndim tashmë në gjurin e majtë në fillim të muajit të kaluar në ndeshjen ndaj Fulhamit në EFL Cup.

Derisa Manchester City përgatitet të ballafaqohet me Chelsean në Premier League, trajneri i “Citizens” ka treguar se De Bruyne është pranë rikthimit.

“Mendoj se ai do të rikthehet në stërvitje brenda një jave. E kam thënë shumë herë se dua ta kem në dispozicion De Bruynen, por ne nuk duam që të vendosim presionin vetëm te një lojtar, duhet të përfshihen të gjithë në mënyrë që të kemi një skuadër të mirë. De Bruyne dhe Aguero do të rikthehen në ditët e ardhshme. Kevin ishte i mrekullueshëm sezonin e kaluar por edhe Gundogan e Bernardo Silva kanë qenë të jashtëzakonshëm. Objektivi im si trajner është të nxjerr më të mirën nga secili futbollist”, përfundoi Guardiola.

Manchester City është lider në Premier League pas 15 xhirove të zhvilluara me dy pikë më shumë se përcjellësi i parë, Liverpooli.