Një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga Darko Shariq i përfshirë në vrasje, ka rritur ndikimin e tij në mbarë botën – nga Serbia, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, përmes Gjermanisë në Belgjikë, por edhe në Amerikën e Jugut si Kolumbia dhe Ekuadori.
Shariq u arrestua në vilën e tij në Dedinje të Beogradit, ku ishte nën arrest shtëpiak dhe së bashku me të është prangosur edhe avokati Dejan Lazareviq, huligani Uros Misiq (ndryshoi mbiemrin në Radovanoviq) dhe disa të tjerë të dyshuar. Numri përfundimtar i të arrestuarve ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht, pasi nuk ka pothuajse asnjë informacion zyrtar dhe arsyeja për këtë mund të qëndrojë në faktin se aksioni i arrestimit udhëhiqet nga organizatat ndërkombëtare EUROPOL dhe EUROJUST.
Paralelisht me arrestimin në Serbi, shërbimet speciale kroate ndaluan 14 persona në kuadër të të njëjtit operacion dhe në mesin e të dyshuarve është edhe Petar Çosiq i njohur si “Saraqi”, i dyshuar për organizimin e vrasjes së Milan Milovacit – Cigla në Ekuador.
Cigla u vra pasi, siç dyshohet, Saraqi ishte i pakënaqur për shkak se Milovac nuk arriti të zgjidhte kontekste me furnizuesit e drogës nga Ekuadori dhe Kolumbia.
Kur u përhap lajmi për likuidimin e tij, u spekulua se ai përdorte dokumente false në Amerikën e Jugut dhe se nëntoka atje e ndihmonte të “bënte biznes”. Për vrasjen e Milovacit, Çosiq ka punësuar një 36 vjeçar përmes një personi të panjohur, i cili ka punësuar edhe persona të tjerë për likuidimin e Millovacit. Ky i mbijetoi sulmit dhe u dërgua në spital me plagosje të rëndë.
Mirëpo, Çosiq nuk ishte ndaluar, kështu që punësoi dy kolumbianë dhe u ofroi para për të vrarë policët që ruanin Milovacin, si dhe për të përfunduar likuidimin e Ciglas. Mirëpo, “likuidimi i dytë” nuk ndodhi, sepse Milovaci shumë shpejt ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë.
Disa medie në Serbi kanë thënë se ishte Shariq ai që ka organizuar dhe urdhëruar likuidimin e tij, por për këtë nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar.
Falë detajeve të tilla, mësohet se tentakulat kriminale të “oktapodit” të Shariqit u gjetën pothuajse në të gjitha kontinentet – nga Ekuadori dhe Kolumbia, burimi i kultivimit dhe prodhimit të kokainës, përmes Spanjës, Greqisë dhe Belgjikës për shkak të pozicionit të favorshëm portual. Grupi ka zhvilluar infrastrukturën që në fillim të vitit 2000.







