Griezmann lavdëron Bundesligën

Sulmuesi i Atletico Madridit, Antonine Griezmann e ka lavdëruar standardin e futbollit gjerman, teksa shtoi se Bundesliga i afrohet më së shumti La Ligas për nga kualiteti.

Futbollisti francez dëshmoi forcën e klubeve gjermane, derisa u mposht 4-0 nga Borussia Dortmundi dy javë më parë në Champions League. Në prag të ndeshjes së revanshit, Griezmann tha se Bundesliga mbetet padrejtësisht në hijen e Premier Leagues.

“Është një ligë ofensive ku shënohen shumë gola. Mendoj se Dortmundi e reflekton shumë mirë kualitetin e Bundesligës. Për mua numër një është La Liga, por në çerekfinale të Champions League ka shumë skuadra gjermane para atyre angleze. Premier League është më shumë e njohur dhe ka shikueshmërinë më të madhe në botë dhe Bundesliga mbetet në hije për shkak të kësaj. Ka mendime të ndryshme, por nga talentët dhe skuadrat nuk ka shumë dallime”, nënvizoi Griezmann.

Griezmann në të ardhmen nuk e përjashtoi mundësinë e kalimit në Bundesliga, por e theksoi faktin se është i lumtur te Atletico Madridi ku synon t’i ndihmojë “Los Colchoneros” të shkruajnë historinë.