Grenell nuk e përkrah vendimin për reciprocitet

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, e ka shpërndarë në llogarinë e tij qëndrimin e sotëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes të cilit kundërshtohej vendimit i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë me anë të një reagimi për media gjatë ditës se sotme kanë ritheksuar pozicionimin e qartë të tyre se Kosova nuk duhet të krijojë barriera të reja, ngase të njëjtat e lëndojnë dhe e ngufatin ekonominë e Kosovës, shkruan lajmi.net.

SHBA-të e kanë kundërshtuar hapur zbatimin e masave të reciprocitetit, dhe sipas tyre ato masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të janë në përpjekje për krijimin e kushteve për një dialog të suksesshëm.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në reagimin e SHBA-së, të cilin e ka përkrahur Grenell. /Lajmi.net/