Reagim

Grafikoni që po kontestohet si mashtrim optik, Manxhuka del me arsyetim për të hyrat doganore

Lëvizja Vetëvendosje ka provuar sot që ta shes si sukses të qeverisjes së mirë rritjen rekorde të të hyrave doganore. Ekspertë të fushës e gazetar kanë reaguar dhe kanë thënë se një rritje e tillë e të hyrave doganore s’ka të bëjë asgjë me qeverisjen e mirë, por është tregues se Kosova vazhdon të jetë vend i varur nga importi.

Përveç kësaj ka pasur reagime dhe për grafikonin që partia në pushtet ka përdorur për të paraqitur diferencën e të hyrave doganore 2023 me vitin 2022, e që është më pak se 100 milionë.

Shenoll Muharremi ka realizuar një grafikë për të dhënat e njejta, që jep tjetër përshtypje nga grafikoni i pushtetit.

“Jemi lodhur me propagandëVetëm shiqojeni grafikonin e manipuluar të pushtetit. Dmth ka rritje të të hyrave për 71 milion nga viti 2022 por pushteti e paraqet me grafikon rritjen si me qenë 70%. E mora mundin me e paraqitë grafikonin real si duket me shifra të njejta sa me pa dallimin edhe nga Hëna nëse dëshironi. Ska nevojë me manipuluar, vetëm bëjeni punën ashtu si duhet”, ka shkruar ai.

Metodologjia e përdorur në grafikonin e publikuar nga Vetëvendosje në pamje të parë të lë përshtypjen se ka pasur një rritje masive në vitin 2023 për dallim me vitin 2022, e që në realitet është vetëm 71 milionë euro.

Pra të hyrat doganore nga 929 milionë sa kanë qenë në vitin 2022, në vitin 2023 kanë shkuar në 1 miliard.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, duke parë reagime të shumta, është munduar të arsyetohet se grafikoni i VV-së është i njejtë me atë të Doganës, dhe shton se mbase dikujt mund t’i duken pak 71 milionë euro, por në të vërtetë janë shumë.

“ Për disa që po shqetësohen për grafikonin e dizajnuar nga VV. Ja ku e keni grafikonin e Doganës së Kosovës.

Për këta analistë gjithologë 71 milionë euro mund të jenë detaj. Por, në të vërtetë janë shumë”, ka shkruar Manxhuka.