Gorani për taksën, çdo gjë e tepruar shkakton kundër efekt

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dukagjin Gorani është shprehur se taksa nuk është vendosur si veprim racional por si kundërveprim dhe është shkaktuar për shkak të situatës së komplikuar politike me Serbinë. Duke iu referuar mbajtjes së taksës në fuqi për më shumë se 7 muaj Gorani tha se çdo gjë e tepruar shkakton kundër efekt, duke shtuar se ajo ka ndikuar në bllokimin e proceseve politike.

“Gjithçka që teprohet shkakton kundër efekt, doza e bën helmin. Marifeti i këtij zanati është t’ia dijm masën. Taksa duhet të shihet si instrument që përdoret në masë në momente të caktuar. Çdo teprim shkakton efekte anësore negative. Në fillim taksa ka qenë veprim relativisht i duhur dhe momenti ka qenë relativisht i duhur. Megjithatë mendoj që edhe ose është instrument i politikave ekonomike taksa ka qenë reagim politik, nuk është vendosur si veprim por si kundërveprim, pra ka qenë e shkaktuar”, ka thënë ai.

Gorani tha se taksën e sheh si pengesë e gjithë Bashkësia Ndërkombëtare duke shtuar se mënyra e përdorimit politik e elektoral të taksës e ka dëmtuar Kosovën.

“Unë mendoj që unanimisht në Bashkësinë Ndërkombëtare shihet si pengesë. Nuk ka aleat të Kosovës që nuk e ka tërhequr vërejtjen për heqjen e saj” ka theksuar Gorani.