Google godet fort Huawein, i heq licencën e Androidit

Kompania kineze, Huawei deri tani është mbështetur në sistemin operativ të Androdit të zhvilluar nga Google për të fuqizuar gamën e saj të telefonave të mençur, por kjo si duket do të ndryshojë.

Google ka goditur fort kompaninë kineze, gjigante të telekomunikacionit Huawei, duke e bllokuar këtë firmë që të përdorë aplikacione të rëndësishme e shërbime të saj, si Gmail e Youtube në vargun e tyre të smartfonëve, transmeton koha.net.

Ashtu sikurse shumë prodhues smartfonësh të mëdhenj, si Samsung e LG, edhe Huawei përdor sistemin operativ të zhvilluar nga Google, Android për të fuqizuar pajisjet mobile.

Por, për shkak të rritjes së akuzave nga SHBA-ja ndaj kompanisë kineze për shqetësime të sigurisë, Reuters e The Verge kanë raportuar se Google ka suspenduar marrëveshjen e saj me Huawein, kështu do të godas fort smartfonët e kësaj kompanie të cilët për një periudhë shumë të shkurtër u bënë ndër më të shiturit në treg.

Produktet ekzistuese nuk do të pranojnë më përditësime të Androidit.

Huawei në vend të kësaj do të detyrohet të përdorë një version publik të sistemit operativ të quajtur Android Open Source Project, në të cilin nuk janë të përfshirë aplikacionet standarde të Google, si Gmail, Google Maps, Google Photos e Youtube.

Edhe pse smartfonët e Huaweit janë të ndaluar të shiten në SHBA, kjo kompani ka pasur shitje enorme të tyre në Kinë e rritje të madhe të shitjeve në shumë vende të Evropës.