Goditja tjetër nga Z-Mobile ndaj Telekomit

Z-Mobile ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës kërkesën që Telekomi i Kosovës t’ia paguaj gjobën rreth 30 milionë eurove. Kompania publike i ka borxh Z-Mobile për shkak se në dhjetor të vitit 2016 ka dalë fajtore për mospërmbushjen e marrëveshjes mes tyre.

Në maj të vitit 2017, menaxhmenti i Z-Mobile dhe ish-shefi ekzekutiv i Telekomit, Agron Mustafa, dolën me një paraqitje publike ku thanë se do ta shpëtonin Telekomin dhe Z-Mobile nuk do t’i kërkonte 32 milionët e fituara nga rasti në Arbitrazh. Tashmë Telekomi niste në gjendje tejet të rëndë financiare dhe e kishte të pamundur që të paguante gjobën, transmeton ballkani.info.

Menaxhmenti i Z-Mobile bashkë me Agron Mustafën u morën vesh që të bënin një marrëveshje tjetër që ishte po aq e dëmshme sa gjoba rreth 30 milionë eurove. Në pamundësi për ta paguar gjobën, Telekomi do të zhvatej edhe më shumë sepse sipas marrëveshjes së re, Telekomi kishte obligime shtesë ndaj Z-Mobile.

Me datën 25 shtator të këtij viti, Z-Mobile ka dërguar kërkesën për ekzekutimin e vendimit të huaj të arbitrazhit në Gjykatën Themelore – Departamentin për çështje ekonomike.