Gjyqi i Elon Musk – anëtarët e jurisë e quajnë “të çmendur”, “narcist” por edhe “të suksesshëm”

Juristët e mundshëm në një padi civile kundër Elon Musk-ut kanë shprehur një sërë mendimesh për të, nga “i zgjuar, i suksesshëm”, “narcist”, deri tek “i çmendur”.

Musk, i cili po paditet nga aksionarët e Tesla-s duke argumentuar se ai manipuloi çmimin e aksioneve të firmës, ka thënë se nuk mund të ketë një gjykim të drejtë në San Francisko, transmeton Telegrafi.

Ai donte që gjyqi të zhvillohej në Teksas – ku ai ka zhvendosur selinë e Tesla-s – por kjo u refuzua.

Lidhur me këtë rast, është përzgjedhur një juri pasi juristët plotësuan një pyetësor paraprak.

Rasti përqendrohet në postimet e vitit 2018, duke thënë se do ta bënte Tesla-n private. Rregullatorët amerikanë e hoqën Musk-un nga posti i kryetarit të Tesla-s për shkak të postimeve.

Më 7 gusht 2018, ai shkroi në Twitter se kishte “siguruar financime” për ta bërë private prodhuesin e makinave në atë që do të ishte një blerje prej 72 miliardë dollarësh.

Në një postim të dytë, Musk shtoi se “mbështetja e investitorëve është konfirmuar” dhe se marrëveshja po priste vetëm një votim nga aksionarët. Asnjë marrëveshje e tillë nuk u realizua.

“Pretendimi është se investitorët mendonin se ishin mashtruar nga postimi i Musk në Twitter, se ai po konsideronte ta bënte Teslën private dhe në mënyrë kritike, se kishte siguruar financat për këtë”, tha për Reuters, Robert Bartlett, profesor i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.

“Por nuk doli të ishte kjo çështja. Kështu që kur çmimi i aksioneve u rrit pas lajmit, ata gjoja i blenë ato dhe më pas ra çmimi kur doli e vërteta. Ata pretenduan se ishte mashtrim”.

CEO i Tesla-s, megjithatë, argumentoi se ai besonte se kishte siguruar fonde nga Fondi i Investimeve të Arabisë Saudite dhe nuk kishte kryer mashtrime me letrat me vlerë.

“Unë mendoj se ai është pak i çmendur, në një nivel personal”, shkroi një anëtarë jurie i mundshëm në një pyetësor duke pyetur nëse ata mund të ishin të paanshëm.

“Unë me të vërtetë besoj se nuk mund të gjykoni një person derisa të ecni në këpucët e tij”, tha një tjetër jurist i mundshëm, i cili shtoi se Musk dukej “narcist”.

Një person tjetër tha se Musk kishte një personalitet “mercenar” sepse ai “është i gatshëm të rrezikojë… ky është imazhi im për të”.

Një tjetër e quajti atë një “njeri biznesi me sukses të shpejtë”, ndërsa një tjetër tha se ai ishte një “pionier i zgjuar dhe i suksesshëm”.

“Unë mendoj se ai nuk është një person shumë i pëlqyeshëm”, tha një person, sipas Yahoo.

Në fund u zgjodh një juri prej nëntë personash dhe diskutimet hapëse do të fillojnë të mërkurën.