Lipjan

Gjykimi ndaj Shukri Bujës: I akuzuari tregon si e panë objektin pa leje duke u ndërtuar

Në procesin ndaj ish-kryetarit të komunës së Lipjanit, Shukri Buja, dhe tetë të akuzuarve të tjerë gjykimi ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga ish drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Lipjanit si dhe dy inspektoreve të kësaj komune.

Gjatë dhënies së mbrojtjes dy inspektoret e ndërtimit në Komunën e Lipjanit, Driton Avdiu e Burim Kodra u pyeten rreth veprimeve të cilat kishin ndërmarrë në lidhje me parandalimit ndërtimit të një objekti në Komunën e Lipjanit.

Dy të akuzuarit deklaruan se me një prill të vitit 2011 janë pranuar në punë si inspektor në Komunën e Lipjanit me periudhë provuese për 12 muaj.

Pas 17 ditëve të punës të akuzuarit deklaruan se kishin bërë inspektimin e parë, me ç’rast kishin hasur në një objekt pa leje.

“Pas një vizite rutinë në teren rastësisht kam vërejtur se është duke u ndërtuar një objekt dhe kemi hyrë për ta inspektuar. Inspektimi i parë ka ndodhur me datën 18 prill 2011, kam qenë bashkë me kolegun Brahim Kodra”, deklaroi i akuzuari Driton Avdiu.

Avdiu më tej shtoi se në momentin e inspektimit objekti kishte qenë në fazën e fundit të ndërtimit.

Pasi që kishin konstatuar se objekti kishte qenë pa leje, inspektorët thanë se menjëherë kishin lëshuar urdhëresë për ndalimin e punimeve.

“Objekti ishte në fazën e ndërtimit ishte në katin e 6, kati i fundit duke u murosur. Ne kemi lëshuar urdhëresë që të ndërpriten punimet menjëherë…E kemi njoftuar eprorin, përkatësisht drejtorin e drejtoratit me gojë dhe kemi bërë edhe raport ditor me shkrim”, tha Driton Avdiu.

I akuzuari Burim Kodra deklaroi se pas inspektimit të dytë kishin vërejtur se punët në objekt nuk ishin ndaluar prandaj më pas tha se kishin përpiluar një fletëparaqitje për ndërtim pa leje të cilën e kishin dërguar në Gjykatë.

“Pas inspektimit të dytë i cili ishte duke vazhduar punët finale të objektit, sepse ndërtimi i vrazhdë ishte i përfunduar, tani kam përpiluar fletëparaqitjen për Gjykatën kompetente, me 12 shtator 2011 dhe është kërkuar nga Gjykata që të shqyrtoj rastin”, tha i akuzuari Burim Kodra.

Dy javë pas nxjerrjes së fletëparaqitjes nga Gjykata, të akuzuarit deklaruan se Kuvendi Komunal kishte marrë vendim për ndryshimin parcial të planit zhvillimor dhe se pas këtij vendimi pronari i objektit ishte pajisur me leje ndërtimi.

“Me 29 shtator 2011 është marrë vendimi për ndryshimin parcial të planit zhvillimor dhe me 10 nëntor 2011 menjëherë është pajisur me leje”, deklaroi i akuzuari Burim Kodra.

Kodra më pas u pyet nga Prokurori i rastit, Agron Bajrami nëse ai gjatë punës së tij si inspektor ka pasur njohuri mbi Ligjin për Ndërtimin dhe nëse e ka konsultuar të njëjtit gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive të tij.

Dhe më pas prokurori i lexoi të akuzuarit një pjesë nga Ligji mbi Ndërtimin për të cilin tha se parasheh se me rastin e inspektimit në rast se vërehet se objekti është duke u ndërtuar pa leje, inspektoret e ndërtimit duhet të vendosin shirita, heqjen e materialit ndërtimor si dhe të marrin masa drejtë rrënimit të objektit pa vonesë.

“A i keni vendosur shirita, a keni hequr materialin ndërtimor”, e pyeti të akuzuarin, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

“Jo nuk i kemi vendosur shirita, nuk kemi hequr material ndërtimor , ne kemi menduar që i kemi kryer të gjithë punën tonë”, u përgjigj i akuzuari Burim Kodra.

Në fund të dy të akuzuarit deklaruan se gjatë punës së tyre si inspektor të ndërtimit, janë munduar që punën e tyre ta kryejnë konform ligjit dhe se asnjëherë nuk kanë pranuar favore nga ndonjë palë e interesit.

I akuzuari tjetër Bajram Rizani ish drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, deklaroi se të dy inspektorët Driton Avdiu e Burim Kodra kanë ndërmarrë të gjitha masat për ndalimin e punimeve në këtë objekt dhe se ai asnjëherë nuk ka ndërhyrë apo bërë presion tek ata, përkundrazi tha se çdo herë i ka këshilluar që të punojnë konform ligjit.

“Me përgjegjësinë më të plotë deklaroj se asnjëherë në asnjë objekt por edhe për këtë objekt nuk kam ndërhyrë por çdo herë i kam sugjeruar që të zbatohet ligji”, tha ai.

Rizani më tej shtoi se ai jo vetëm për objektin në fjalë por asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë favor me qëllim të përfitimit të ndokujt.

Në fund i akuzuari Rizani tha se si ai dhe si drejtoret e tjerë asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë presion nga kryetari i komunës së Lipjanit Shukri Buja, për të cilin tha se çdo herë i kishte këshilluar që punët të i kryenin vetëm konform ligjit.

“Më përgjegjësi të plotë deklaroj se asnjë ndërhyrje nuk ka pasur tek inspektoret për neglizhimin e punës”, tha ish drejtori i drejtorisë së Inspekcionit.

Bashkë me Bujën të akuzuar në këtë rast janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

Buja po akuzohet nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga komuna e Lipjanit me kompaninë “NEË Co Feronikel Complex LL. C.”.

Tre nga këta të akuzuar në kohën për të cilën ngarkohen ishin zyrtarë në komunën e Lipjanit.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja, më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEË Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEË Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë Prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm komunës së Lipjanit.

Më 28 prill Buja u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet