Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë bërë të ditur se më 15 shtator 2025 fillon dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas njoftimit, dëshmitari i parë do të jetë dëshmitari i thirrur nga mbrojtja e Thaçit, ndërkaq seanca pritet të jetë kryesisht publike, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Seanca do të fillojë në orën 09:00 dhe transmetohet me 45 minuta vonesë.

“Për shkak të interesit të lartë për seancën, për ta ndjekur seancën nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës në Hagë kërkohet regjistrim paraprak. Për t’u regjistruar paraprakisht dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected]. Ju lutem mbani parasysh se vendi juaj konfirmohet vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me mesazh elektronik (email). Mesazhet elektronike të konfirmimit do të dërgohen jo më vonë se 11 shtatori 2025. Organet e interesuara të medias duhet të njoftojnë nëse kanë nevojë t’u rezervohet një vend në qendrën për median”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtjes, më 14 shtator, është planifikuar të mbahet një protestë në Hagë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.