Gjykata u cakton një muaj paraburgim dy serbëve të arrestuar të hënën në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy serbëve të arrestuar të hënën në veri, pas incidenteve që ndodhën në Zveçan.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O për shkak të dyshimit të bazuar se kanë bashkëkryer veprën penale Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Sulm ndaj personit zyrtar dhe veprën penale Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, thuhet në njoftim.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O dhe të njëjtëve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit pẽr caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.P dhe D.O kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit”, thuhet më tej në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.