Pejë

Gjykata e Pejës refuzon ankesën e të akuzuarit për krime lufte

Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar ankesën e të akuzuarit për krime lufte në rajonin e Klinës, Milorad Zajiq.
Ai kishte kërkuar nga gjykata që ta hedhë poshtë aktakuzën ndaj tij.

Në vendimin që e ka siguruar kallxo.com thuhet se ka elemente te mjaftueshme qe e vërtetojnë dyshimin e bazuar se Milorad Zajiq, ka kryer veprën me te cilën akuzohet dhe se kjo duhet të vërtetohet në shqyrtim kryesor.

“Gjykata gjen se përshkrimi i gjendjes faktike te aktakuzës përmban elementet e mjaftueshme inkriminuese të te pandehurit. Megjithatë vërtetimi i kësaj vepre penale duhet të vlerësohet në shqyrtim gjyqësor me administrimin e provave “, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas vendimit të Gjykatës, Prokuroria ka prezantuar prova të mjaftueshme që e vërtetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale.

Milorad Zajiq është deklaruar i pafajshëm në lidhje me aktakuzën.

Ai akuzohet se kishte marrë pjesë në përndjekjen e fqinjëve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës në qershor të vitit 1998.

Në aktakuzë thuhet se Zajiq e kishte ofruar shtëpinë e tij si bazë për forcat e armatosura serbe duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Sipas aktakuzës, ai ishte parë nga fqinjët derisa shkarkonte nga makina e tij Zastava armë ndërsa në mbrëmje i vetëm kishte nisur të qëllonte në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Nga këto sulme mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku.

Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë gruaja dhe vajza e të dëmtuarit Xheme Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku.