Gjuriq: Haradinaj fajtor për dështimin e Samitit të Parisit

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën’, Marko Gjuriq, ka thënë se përgjegjës për dështimin e Samitit të Parisit janë institucionet e Kosovës, pasi sipas tij janë sjellë në mënyrë arrogante.

Ai thotë se dikush në Prishtinë është jashtëzakonisht i zemëruar me Serbinë dhe se kanë frikë nga shteti serb.

“Dikush në Prishtinë është shumë i zemëruar me faktin se Serbia po vazhdon të ketë progres dhe zhvillim, dhe në anën tjetër ju keni paga shumë më të ulëta në Kosovë, Prandaj ata dëshirojnë të na bllokojnë neve”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij zyrtarët e Prishtinës kanë treguar se nuk dëshirojnë vazhdimin e dialogut.

“Kjo mund të shihet nga deklaratat e kryeministrit e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili thotë se dëshiron njohjen e pavarësisë si rezultat final, dhe në anën tjetër nuk heq taksat”, ka thënë politikani serb.

Ndërkohë profesori amerikan, Eduard Joseph, thotë se anulimi i Samitit të Parisit është një tregues se për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, do të përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për dështimin e takimit në Francë ka folur dje edhe kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Kosova ishte përgatitur për këtë Samit, dhe se për dështim askush nuk mund ta fajësojë Kosovën.

Ditë më parë kreu i diplomacisë serbe, Ivica Dacic, pati deklaruar se nëse Kosova nuk do ta heq taksën, atëherë nuk do të ketë Samit të Parisit.