Gjermania fonde miliardash për Afrikën

Në samitin për Afrikën në Berlin, kancelarja Angela Merkel u premtoi firmave gjermane më shumë mbështetje për bizneset në Afrikë. Planet mirëpriten, por çështjet thelbësore mbeten të hapura.

Në këtë rrjet që Stefan Liebing përfaqëson bëjnë pjesë mbi 500 shoqata, që janë aktive në Afrikë. Në fakt Liebing është një kritik i ashpër i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Afrikës, pasi sipas tij, bëhet shumë pak për firmat. Tani ai madje as nuk arrin ta lëvdojë sa duhet kancelaren. Deklarata e saj është “pothuajse historike”.

Nga samiti në Berlin duhet të dalë një sinjal gjerman, premton kancelarja. “Ne si europianë kemi një interes të madh, që shtetet e Afrikës të kenë perspektiva të mira ekonomike”, theksoi Merkel. E që kjo të realizohet, qeveria federale do të investojë si duhet. Me një fond të ri synohet që t’u lehtësohen investimet sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm në Afrikë. Po ashtu synohen edhe sigurime më të mira për bizneset e firmave gjermane si dhe një nismë për kualifikimin profesional të të rinjve afrikanë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtyre planeve është edhe marrëveshja për tatimin e dyfishtë mes Gjermanisë dhe të gjitha vendeve Afrikane, që marrin pjesë në nismën Compact with Africa – në mënyrë që sipërmarrjet të mos tatohen dy herë.

“Unë e di, që për ju të gjithë koha është e rëndësishme, sepse ju duhet të arrini shpejt diçka.

Popullsia juaj pret përgjigje të shpejta prej jush dhe ne duam të përpiqemi, që të jemi më të shpejtë”, premtoi Merkel duke iu adresuar kryetarëve të shteteve afrikane të pranishëm në samitin e Berlinit.