Gjendje e rënduar nga përmbytjet në veri

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në veri është krijuar një gjendje e rënduar si pasojë e vërshimeve.

Përmes një komunikate për media të enjten, Policia ka bërë të ditur se në disa rrugë në pjesën veriore të Kosovës ka pasur shembje të gurëve dhe dheut, derisa një rrugë atje mbetet e bllokuar.

“Në pjesën veriore të vendit, disa nga pjesët ku ka vërshime më shumë nga uji janë: Lagja e Boshnjakëve ku uji ka depërtuar në disa shtëpi, magjistralja Mitrovicë-Bërnjak ka shembje të dheut, po ashtu rruga në fshatin Zubq, hyrja për në fshatin Varage ka shembje dheu, ndërsa rruga Qaber- Zubin Potok mbetet e bllokuar për shkak të shembjeve të gurëve dhe dheut. Në rrugët ku ka rrëshqitje dheu janë angazhuar edhe kompani për pastrimin dhe largimin e pengesave nga rruga”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka bërë të ditur se ka shtuar patrullimet në zonat ku ka potencial për vërshime.

“Njësitet policore, pos koordinimit me institucionet relevante po angazhohen edhe në shtimin e masave të sigurisë në trafik dhe riorientim të qarkullimit në ato rrugë që janë bllokuar ose kanë vështirësi në qarkullim. Si pasojë e të reshurave ka pasur nivel të shtuar të ujit edhe në rajone tjera, si në dy rrugë të Gjakovës, në Ujëmir të Klinës, në rajonin e Podujevës, në Istog dhe në rajonin e Mitrovicës Jugu, Skenderaj, etj”, thuhet në njoftim.