Gjenden eshtra në pronat e Vatikanit. Drejt zgjidhjes misteri 35-vjeçar?

Mbetjet njerëzore të gjetura në një pronë të Vatikanit në Romë mund të jenë çelësi i zgjidhjes së një misteri 35-vjeçar që vazhdon të mundojë vendin fqinj.

Fragmentet e kockave dolën në dritë gjatë punimeve për rikonstruksionin e ambasadës së Selisë së Shenjtë, në afërsi të muzeut të famshëm Villa Borghese. Ekspertët po përpiqen që të përcaktojnë moshën dhe gjininë e personit si dhe datën e vdekjes, por kaq ka mjaftuar ndërkohë që mediat italiane të lëshoheshin në spekulime se eshtrat mund t’i përkasin vajzës adoleshente të një punonjësi të Vatikanit, të zhdukur në vitin 1983.

Rasti i 15-vjeçares Emanuela Orlandi vazhdon të mbetet tejet i diskutuar në Itali. Zhdukja e saj është lidhur gjerësisht ose me krimin e organizuar ose me një përpjekje për të detyruar lirimin nga burgu të Mehmet Ali Agca, shtetasi turk që tentoi të vriste Papa Gjon Palin e dytë në vitin 1981. Vëllai i Emanuelës, Pietro është përpjekur për dekada të tëra që të zbulojë se çfarë ka ndodhur me të. Ai madje e ka akuzuar Vatikanin se ka heshtur mbi fatin e së motrës.

Eshtrat megjithatë mund të jenë edhe të Mirella Gregorit, 15-vjeçares tjetër të zhdukur po në Romë, 40 ditë përpara Orlandit, edhe ajo në kushte mjaft të çuditshme. As rasti i Gregorit nuk u zbardh kurrë. Ajo iu përgjigj citofonit e i tha prindërve se po zbriste të takonte një shok të vjetër shkolle, por nuk u kthye më. Detektivët mendojnë se mund të ketë një lidhje mes këtyre dy rasteve, por për momentin ato vazhdojnë të mbeten të zhytura në mister.