Gjashtë klube të Premierligës e duan Muriqin

Sulmuesi kosovar mund të transferohet në Premierligën angleze gjatë verës që vjen. Atë e duan edhe në Francë dhe në Gjermani

Klubet angleze i janë vënë pas me të madhe Vedat Muriqit.

Sulmuesi kosovar e ka arritur kulmin e karrierës dhe paraqitjet e tij mbresëlënëse me Fenerbahçen dhe Përfaqësuesen e Kosovës nuk kanë mbetur pa u vërejtur.

Skautët e klubeve të njohura evropiane po e vëzhgojnë me kujdes vazhdimisht futbollistin prizrenas.

25 vjeçarin e ndoqën klube të shumta edhe në ndeshjen e fundjavës që shkoi ndaj Trabzonsporit.

Në fakt, numri i klubeve të Premierligës që e duan përfaqësuesin kosovar është rritur në 6.

Ish-futbollistin e Rizesporit fillimisht e donte Tottenhami, ndërsa më pas në garë u fut edhe Manchester United.

Por, fundjavën që shkoi, atë e vëzhguan edhe Leicester City e Aston Villa, por lojtarin e duan edhe Burnley e Brightoni.

Gjithashtu, edhe përfaqësues të Monacos dhe Eintracht Frankfurtit ishin prezentë në ndeshjen e fundit të Fenerit për Muriqin.

Gjatë janarit, klubet angleze i ofruan nga 25 deri në 28 milionë euro, por klubi nga Stambolli rezistoi, pasi llogarit në shërbimet e sulmuesit shtatlartë deri në fund të sezonit, pasi po e ndjek titullin e kampionit.

Mediat turke shkruajnë se klubi Verdhekaltër i do 50 milionë euro për Muriqin.

Sulmuesi i rrezikshëm i ka realizuar 13 gola dhe i ka dhuruar 5 asistime në 21 ndeshje deri tash këtë sezon me Fenerbahçen.

Ai konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë në kampionatin turk të futbollit.