Gërxhaliu: Propozimi i Kurtit për ndryshimin e CEFTA-s është politik, nuk sjell ndryshim ekonomik

Bashkëpunimi ekonomik është viktimë e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të jetë kështu derisa politikanët ta kuptojnë seriozitetin e dialogut, thotë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai theksoi se marrëveshja e CEFTA-s dha rezultate të mira në tregun e Bashkimit Evropian, por që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka të ngjarë ta nënshkruajë një marrëveshje të re të Evropës Qendrore të Tregtisë së Lirë për t’i eleminuar pengesat politike që e shoqëruan marrëveshjen e CEFTA-s.

“Unë mendoj se ky propozim ka konotacion politik. Është shumë më mirë të plotësojmë të gjitha këshillat e iniciativave që kemi sepse ato ekzistojnë, por problemi është zbatimi i tyre”, tha Gërxhaliu për portalin serb “Kosovo Online”, duke shprehur shqetësimin për mungesën e reagimit të dhomave të tregtisë në Kosovë dhe Serbi.

“Ky propozim është për të arritur një ekuilibër, për ta parë të ardhmen me sy të ndryshëm një herë e përgjithmonë, dhe jo për politikën që t’i mbytë të gjitha iniciativat”, tha Gërxhaliu.

Kryeministri Kurti propozoi ndryshim të marrëveshjes së CEFTA-s gjatë takimit të fundit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Ideja e tij është që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin nga CEFTA në SEFTA sipas modelit të marrëveshjeve që Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda e kanë me Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, Gërxhaliu beson se as SEFTA dhe as ndonjë marrëveshje tjetër nuk do të sjellë ndryshime pozitive ekonomike pa zgjidhur çështje të hapura politike.

“Nëse plotësohen të gjitha këto kushte, si dhe ato që parashikohen nga sekretariati i CEFTA-s dhe ato që u nënshkruan në Sofje, ne do të vijmë në atë që tani është një propozim i ri. Çfarëdo që të ndodhë, derisa të zgjidhet problemi politik dhe të hiqen pengesat, ai do të jetë hapi i parë në një rrugë të gjatë që nuk do të na çojë askund”, theksoi Gërxhaliu.

Ai gjithashtu komentoi deklaratat e fundit të zyrtarëve amerikanë drejtuar liderëve të Kosovës, duke theksuar se ato duhet të merren seriozisht sepse pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, e ardhmja e Kosovës do të jetë shumë e pasigurt.

“Politikanët duket se janë nën presion për ta humbur pushtetin duke e zgjidhur problemin. Ne kemi një shembull të Greqisë dhe Maqedonisë, kur kishte një problem të madh me emrin, por pasi e zgjidhën atë problem, edhe Tsipras edhe Zaev i humbën zgjedhjet. Unë mendoj se ky paralajmërim nga pala amerikane ka një rëndësi të madhe, por pyetja është nëse duhet të ekzistojë gjithmonë një fuqi më e lartë në Ballkan që do t’i zgjidhë problemet dhe do të bëjë presion. Ne duhet të kuptojmë se këto paralajmërime janë të një rëndësie të madhe, sepse nëse amerikanët ngrenë duart, ne do ta humbasim të ardhmen, sa më shpejt ta kuptojmë seriozitetin e dialogut dhe ta arrijmë një zgjidhje”, tha Gërxhaliu.