Anëtarja e LDK-së, Donika Gërvalla, ka kërkuar publikisht informacione se sa delegatë e kanë votuar Isa Mustafën për Shef të Partisë, në Kuvendin e Përgjithshëm, që u mbajt të shtunën.

Ajo ka thënë se nëse s’janë shënuar sa vota janë për, sa kundër dhe sa kanë abstenuar, votimi do të shpallet i pavlefshëm.

“Me sa vota për, sa kundër dhe sa abstenime u zgjodh dje Isa Mustafa me aklamacion në krye të LDK-së? Edhe kur zgjedhja bëhet me duar të ngritura, ato duar duhen numëruar me pedantëri dhe shënuar në procesverbal. Perndryshe votimi është i pavlefshem dhe duhet përsëritur”, ka shkruar Gërvalla që është vajza e Jusuf Gërvallës.

“Ndoshta dikush nga të pranishmit në sallë mund të na i tregojë numra”, ka shtuar ajo.

Donika Gërvalla s’ka qenë pjesë e zgjedhjeve që përfunduan të shtunën në LDK. Në Kuvendin e VIII ajo ishte nxjerr jashtë me dhunë nga Kuvendi i Përgjithshëm i LDK’së, ku Isa Mustafa ishte zgjedhur po me aklamacion për Shef të LDK-së.

Edhe të shtunën në garë për Shef të Partisë ishte Fatmir Sejdiu, të cilit nuk iu lejua as të kandidonte pasi s’i kishte marrë gjysmën e votave të delegatëve për të qenë pjesë e procesit.

Lidhja Demokratike e Kosovës është në opozitë ndërsa ka numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin e Kosovës. Ka numrin më të madh të komunave nën udhëheqje. Ndërsa, në secilin sondazh del e para.

Isa Mustafa para se të bëhet Shef për herë të tretë i LDK-së ka mbajtur pozitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ka udhëhequr Kryeqytetin për dy mandate. Ka qenë pjesë e Kabinetit të ish-Presidentit Fatmir Sejdiu. Pasluftës ka qenë pjesë e Bordit të Universitetit të Prishtinës. Para luftës ka mbajtur pozitën e Ministrit të Financave në Qeverinë në Ekzil të udhëhequr nga Bujar Bukoshi. Ka pasur pozitë ekzekutivie edhe në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë përkatësisht në Komunë e Prishtinës.

Vitin e fundit, Mustafa është përballur me probleme shëndetësore, për çka po e vazhdon ende trajtimin në Gjermani.

loading…