Pa energji elektrike. Pa lidhje telefonike. Pa internet.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë zonë të pyllëzuar të Amazonës, apo skajet më të largëta të majave të Himalajeve, por për Rripin e Gazës në Lindjen e Mesme, i cili me bombardimet e fundit të shtuara të Izraelit, është futur në një errësirë dhe terr të plotë, pa asnjë kontakt me botën e jashtme.

E vetmja “dritë” që duket në qiellin e errët, është ajo e lëshuar nga zjarri i raketave izraelite, të cilat nuk kanë të ndalur në orët e fundit dhe kanë krijuar një ferr të vërtetë mbi tokën palestineze.

Sipas raportimeve të fundit nga Lindja e Mesme, tashmë tanket e para izraelite kanë filluar të mësyjnë një Gaza tërësisht të shkëputur nga bota, pa rrymë elektrike, pa komunikim dhe pa internet.

Nuk është bërë ende e ditur se në çfarë shkalle ky inkursion fillestar është, por dihet me siguri se Izraeli i ka bërë thirrje gjithë palestinezëve që jetojnë në veri, që të largohen urgjentisht drejt jugut.

Zgjerimin e operacioneve gjatë natës ndërkaq, e raportoi Daniel Hagari, zëdhënësi i Ushtrisë izraelite, i cili përmendi planin e Forcave të Mbrojtjes për të pasur fillimin zyrtar të inkursionit në Gaza.

Me thirrje të qartë për palestinezët, ai ka thënë se ata që gjenden në veri, duhet të larohen menjëherë për në zonat më jugore.

Por Rripi aktualisht i ngjan një ferri real, me bombardime masive mbi kokat e palestinezëve dhe një blackout tërësor në gjithë Gazën.

Nuk kanë pushim bombardimet izraelite në Gaza. Madje, ato po kthehen në më të ashprat të dekadave të fundit.

Këto janë raportimet e fundit që vijnë nga Lindja e Mesme, ku prej korrespondentëve të mediave ndërkombëtare, mësohet se Gaza është jo vetëm nën breshëri bombardimesh, por edhe në një “blackout” tërësor.

Njerëzit në Gaza, sipas Safwat Kahlout, korrespondent i medias së Katarit, Al Jazeera, thotë se njerëzit kanë humbur krejtësisht papritur kontaktin me njëri-tjetrin.

Nuk ka as shërbim telefonik, as internet. Gjithçka është në kolaps sipas tij.

Hamasi ndërkohë ka filluar një kundërpërgjigje me raketa. Por, njëkohësisht i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë gjithçka munden për të ndaluar luftën!

Nga ana tjetër, thirrje të vazhdueshme kanë ardhur nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili ka thënë se ndihmat duhet të shkojnë sa më parë në Gaza dhe të jenë të monitoruara.