Deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, ditën e sotme është deklaruar rreth zhvillimeve të fundit në vend, si dhe qëndrimin e partisë ndaj Qeverisë aktuale.
Në një prononcim për Ballkani.info, Gaxherri ka thënë se qëndrimet e partisë së saj janë publike dhe nuk kanë ndryshuar, por ka theksuar se mendojnë që vendit i duhen zgjedhje të reja pasi që zgjedhjet janë opsioni më i mirë sipas tyre për zgjidhjen e problemeve me të cilat po ballafaqohet Qeveria.
“LDK-ja i ka bërë të ditura qëndrimet e saja dhe ato nuk kanë ndryshuar asnjë milimetër. Haradinaj e ka problemin me partitë e koalicionit me të cilat është në qeverisje. Ne kemi kërkuar zgjedhje të reja pasi që është opsioni i vetëm për zgjidhjen e problemit”, ka thënë Gaxherri për Ballkani.info.
E pyetur rreth bashkëpunimeve me partinë tjetër opozitare, Lëvizjen Vetvendosje dhe a kanë qëllime të përbashkëta rreth taksës dhe Qeverisë aktuale, Gaxherri ka thënë se tashmë është bërë i ditur pozicioni i opozitës.
“Në lidhje me taksës, mendoj që të gjitha partitë politike e kanë mbështetur përfshirë edhe neve,. Ne nuk jemi kundër taksës pasi që Serbia meriton embargo të plotë, por kur mirren përgjegjësitë duhet të dish të udhëheqësh. Në situatën ku ndodhemi, nuk është i gjithë problem tek taksa apo nuk është problem i gjithë Kosovës vetëm Serbia. Ne kemi probleme të tjera ditore të cilat nuk di t’i menaxhojë kjo Qeveri dhe nuk ka mundësi pasi që ata kanë luftë mes vete”, ka përfunduar Gaxherri përcjell Ballkani.info.
Kujtojmë se ideja për zgjedhje të parakohshme është propozuar nga partitë opozitare ditë më parë, pasi që kanë vlerësuar se taksa ka nisur të përdoret për të mbuluar dështimet e tjera. /Ballkani.info







