Gastronomët kërkojnë largimin e masave: Të dëmshme dhe kundërligjore

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar për masat kundër Covid-19 të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Ata bëjnë thirrje që të largohen këto masa pasi po dëmtohen shumë, njëherësh duke i quajtur edhe të kundërligjshme.

Postimi i plotë:

MASAT ANTICOVID TË DËMSHME DHE KUNDËRLIGJORE

Masat e fundit kundër pandemisë, përditë po dëshmohen si të panevojshme (sepse nuk kanë mbështetje shkencore), të dëmshme (sepse po shkaktojnë stres shoqëror dhe ekonomik), dhe të kundërligjshme (sepse nuk po i marrin parasysh udhëzimet e OBSH-së, ref. par. 4, Nenit 8 të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës).

Paralajmërimet, qëndrimet, dhe kërkesat tona po fillojnë të marrin kuptim gradualisht, duke u dëshmuar se kriza vetëm po thellohet, pasojat për rritjen e rasteve nuk janë jetime (sepse verës jemi akuzuar për rritjen e rasteve, ndërsa kësaj here nuk jemi lejuar të punojmë, pra mos-kontrollimi i personave që vijnë nga jashtë). Pra, tash nuk jemi të vetëm ne të zëshëm që po prekemi nga këto masa, sepse arroganca e Qeverisë ka shku aq largë duke e acaruar gjithë shoqërinë në krizë, vendet fqinje dhe institucionet ndërkombëtare.

Mosdëgjushmëria dhe arroganca e ka pru gjendjen deri këtu, me krizë të thellë shoqërore dhe ekonomike, e cila rrezikon të thellohet edhe më shumë.

Ju bëjmë thirrje që sa më shpejtë të ndërroni qasjen dhe ti ktheheni për së mbari menaxhimit të pandemisë dhe krizës ekonomike. Merrni parasysh kërkesat që ju kemi drejtuar, duke i diskutuar ato nga afër e jo duke krijuar shumë fronte në një luftë të përbashkët!