Gashi: Po presim argumentet e telekomit e Z-Mobile për çështjen e numrave

Kryetari i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikimve, Kreshnik Gashi, javën e ardhshme do t`i presë në takime të ndara përfaqësuesit e Telekomit dhe Z-Mobile për ta sqaruar përfundimin e partneritetit 10-vjeçar.

Gashi i tregon për RTK-në të gjitha procedurat deri në sqarimin e plotë të periudhës transitore të caktuar nga Telekom në lidhje me 300 mijë numrat që deri tani ishin në shfrytëzim nga Z-Mobile.

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikimve Elektronike dhe Postare, ende nuk e ka vendosur të deklarohet rreth menaxhimit të 300 mijë numrave të cilët deri tash i ka shfrytëzuar Z Mobile.

Kryetari i ARKEP-it, Kreshnik Gashi, thotë se kjo do të ndodhë vetëm pasi të sqarohen argumentet e të dy palëve.

Ndërprerja e partneritetit Telekom – Z-Mobile për ARKEP nuk përbën ndonjë shqetësim, por një praktikë e tillë, sipas Gashit, nuk njihet nëpër botë.

“Nuk kemi hasur nëpër botë një praktik të tillë, do të shohim argumentet dhe do të vendosim..”

Për Gashin e rëndësishme është vijimësia e shërbimeve për Z-Mobile, derisa ARKEP të bëjë sqarimet e nevojshme.

“Vijimësia është e mirë në këtë fazë do të shohim se si po rrjedhin gjërat e do të vendosim”.

Kryetari i ARKEP-it nuk saktëson ndonjë afat se kur do ta nxjerrë vendimin në lidhje me fatin e 300 mijë numrave që deri tani ishin në shfrytëzim nga Z Mobile.

Para tri ditësh, Telekomi i ka shpallur të pasuksesshme negociatat me Z-Mobile, duke përfunduar partneritetin 10 vjeçar, dhe çdo marrëdhënie me Operatorin virtual.

loading…