Garë e nxehtë në Ferizaj, rivali i Agim Aliut, Ramadani i VV-së paralajmëron dosje në Prokurori!

Valon Ramadani, sipas gjitha gjasave, do të jetë personi që do të garojë për kryetar të Ferizajt nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se PDK po ankohet kot për investimet.

Sipas tij, PDK-ja duhet të hap krahun… “Dosjet e investimeve tuaja po shkojne në prokurori një nga një, sepse betoni dhe asfalti juaj po del se ka kushtuar disa herë më shumë se sa projekti fillestar”, ka thënë ai.

Postimi i plotë:

Mjaft vodhët me Ferizajin!

Subjekti që më së shumti e ka vjedhur Kosovën dhe Ferizajin, PDK-ja, po ankohen tash pse qeveria Kurti po ua ndal burimet e vjedhjes.

O zotërinj të PDK-së ka ardhë koha që ta hapni krahun, dosjet e investimeve tuaja po shkojne në prokurori një nga një, sepse betoni dhe asfalti juaj po del se ka kushtuar disa herë më shumë se sa projekti fillestar. Raporti i Auditorit për Komunën e Ferizajit tregon më së miri çfarë keni ditur të bëni ju, duke vjedhur haptazi dhe në prapaskenë. Ferizaji, komuna që i kontribuon shumë ekonomisë së Kosovës, me qeverisjen tuaj as ujë të pijes nuk ka, shërbimi shëndetësor është për tokë, dhe mbeturinat e ndërtimet pa plan po na e prishin natyrën tonë të mrekullueshme. Kanalizimet dhe ujrat e zeza po shprazen nëpër ara duke u bërë rrezik për shëndetin tonë, ndërsa shkollat e fëmijëve tanë jo që s’kanë laborator, po shpesh as toaletet nuk i kanë funksionale.

Kur të vendoset në krye të komunës një qeverisje që nuk vjedh, por punon, atëherë do të mund të flasim për investime dhe zhvillim të mirëfilltë në Ferizaj. Ferizaji nuk është pronë apo bastion i askujt. Ferizaji do të jetë komuna e të gjithëve!