Punëtorët e shumë qendrave Korrektuese në Kosovë, sot kanë protestuar, duke kërkuar koeficient të barabartë me Policinë e Kosovës dhe që rrezikshmëria e tyre të jetë 40%, duke shtuar se puna e tyre nuk është aspak e lehtë.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës në nivel Kosove, Zenun Sadikaj në një prononcim për Ballkani.info tha se nuk është mbajtur premtimi nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për koeficientin i cili është premtuar se do të jetë 2.2 i njëjti me atë të Policisë së Kosovës.

Sadikaj tha se të enjten pritet të mbajnë protestë prapë, të gjitha Qendrat Korrektues në Kosovë para objektit të Qeverisë, ku protesta do të jetë një orësh, dhe se do të jetë një organizim i madh, duke pasur parasysh se ka shumë Qendra Korrektuese në Kosovë.

“Ne kemi pas takime të më hershme me Drejtorin Gjeneral, edhe me zëvendësministrin e Drejtësisë, ata na kanë dhënë njëfarë premtimi nga ministria që neve të na fusin njëjtë me Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit, me koficent 2.2. Mirëpo premtimi nuk u mbajt dhe u pa në Kuvend dhe atëherë stafi u mllefos dhe dolëm në protestë. Si kërkesa tjera kemi se stafi i mbështetëseve civil, ata nuk janë të informuar hiç rreth koeficientit të tyre dhe sa do ta kenë pagën në të ardhmen. Domethënë premtimi nuk u mbajt siç ka thënë. Ne mendojmë që të enjten nga të gjitha Qendrat Korrektues para Qeverisë do të mbajmë protestë një orësh, do të organizojmë me autobusë sepse Qendra Korrektues ka shumë, pa shkëputje prej pune, ata që janë në orar të punës do të vazhdojnë punën ne që jemi në orar të mbasdites do të protestojmë”, ka thënë Sadikaj për Ballkani.info.