Gara e diturisë me probleme, mbahet në 95 % të shkollave

Ndonëse ditë vikendi shumë nxënës kishin dal në shkollat fillore për t’u përfshirë në testin e garës së diturisë që është zhvilluar në tërë Kosovën gjatë ditës sotme.

Megjithëse, në disa shkolla në Prishtinë për shkak të vonesave të bartjes së testeve nuk u mbajt, përgjegjësit e kësaj iniciative thanë se testi është duke u mbajtur mbi 95 përqind të shkollave.

Kordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti u shpreh entuziast me gjithë procesin e garës së diturisë, duke thënë se mbi 95 përqind të shkollave në nivel vendi janë duke e mbajtur këtë test.

Duke folur për këtë lloj testi, ai tha se është shumë i nevojshëm, pasi duhet të përdoret si një lloj shtyse për vet nxënësit.Kurse, për shkollat që nuk janë duke mbajtur testin, mbi arsyen e vonesave, Hoti tha se testi duhet të arrihet në çastet e fundit.

Por ndryshe prej kordinatorit, shprehet drejtoresha e shkollës “Ismajl Qemajli” që nuk ka mbajtur testin e garës së diturisë, Kimete Konjusha Dida, e cila tha se njëra prej arsyeve ka qenë mos arritja e testeve me kohë.

Drejtoresha e shkollës fillore në Prishtinë, “Naim Frashëri”, Shqipe- Vllasalia-Mehmeti shprehet se testi ka shkuar mirë, përveç një numri prej 15 nxënësish boshnjak që testi nuk iu ka ardhur në gjuhën e tyre dhe për këtë arsye ka dështuar.

Ndërsa, drejtori i shkollës fillore, “Qamil Batalli” në Prishtinë, Liridon Maliqi shprehet se testet i kanë marrë mbas mesnate, dhe pavarësisht kësaj ata i kanë sistemuar dhe gara ka filluar në kohë ashtu siç është paraparë.

Nxënës të shumtë jashtë kamerës së KosovaPress-it, janë shprehur entuziast me garën dhe thanë se kjo i motivon më shumë.

Kurse, Arlinda Latifi që ishte duke e pritur fëmijën derisa të përfundon testin, u shpreh e kënaqur me këtë garë, pasi sipas saj nxënësit e testojnë vetën dhe shohin sa janë të përgatitur.Për fituesin e kësaj gara do të ketë një çmim në të holla prej dhjetë mijë eurosh.