Gazeta amerikane

FT: Serbia i ka çuar armë Ukrainës përmes palëve të treta rreth 800 milionë euro

Gazeta e madhe amerikane “Financial Times” ka raportua sot se Serbia në mënyrë diskrete ka rritur shitjet e armatimit drejt perëndimit, armatim i cili përfundon në forcimin e mbrojtjes së Ukrainës. Kjo gjë po ndodh edhe pse Serbia është një nga dy vendet e vetme evropiane që s’i ka vendosur ende sanksione Rusisë.

Vlerësimet e ndara me Financial Times tregojnë se eksportet e municioneve të Serbisë që kanë shkuar në Ukrainë nëpërmjet palëve të treta kapin vlerën e rreth 800 milionë euro – një shumë që presidenti Aleksandar Vuçiq tregoi se ishte gjerësisht e saktë – që nga pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë në 2022.

Financial Times shkruan se Vuçiqi e paraqiti situatën si një mundësi biznesi, duke këmbëngulur se ai nuk do të merrte anën në luftë.

“Kjo është një pjesë e ringjalljes sonë ekonomike dhe e rëndësishme për ne. Po, ne e eksportojmë municionin tonë. Ne nuk mund të eksportojmë në Ukrainë apo në Rusi…por ne kemi pasur shumë kontrata me amerikanë, spanjollë, çekë e të tjerë. Ajo që ata bëjnë me këtë në fund është puna e tyre”, citohet Vuçiq.