Fshati që gjallërohet një herë në vit

Dikur një fshat që gumëzhinte nga gjallëria që i jepnin banorët, sot gjithçka që ka mbetur prej tyre është vetëm historia e lënë pas. Mes luleve, maleve dhe qetësisë që sjellë natyra, jeton në të kaluarën, jo më larg se 40 minuta nga kryeqendra, mes Gjilanit e Prishtinës, ndodhet fshati Kukaj. Pothuajse ka mbetur i zbrazët, vetëm tek-tuk gjen ndonjë shtëpi të banueshme.

Është plaku Daut, i cili mbanë ‘gjallë’ fshatin, në të cilin po kalon pjesën tjetër të jetës. 82 vjeçari thotë se në këtë fshat dikur kishte jetë. Me nostalgji tregon për vendin ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij.

“Ky vend është i mirë, e ka ajrin e mirë, kush është i sëmurë prej mushkërive apo astmës, Kukaj është vend i mirë. Unë këtu jam lind e jam rritur….kanë dal të gjithë e kanë lëshuar katundin, mirëpo unë nuk e kom lëshuar, edhe kam qëndru këtu, kom ruajt kafshë … Përpara kemi qenë në katund 28 shtëpi, tash kemi mbet shtatë, tetë shtëpi”.

Për plakun 82 vjeçar nuk ka qenë aspak e lehtë të shihte fshatin e tij tek zbrazej. Ka që nëntë vjet që ai pret të vije vera dhe fshatit t’i kthehet gjallëria, ashtu siç e mban mend dikur. Madje, ai thotë se gjatë gjithë jetës përjetoi dy gëzime të mëdha.

“Njerëzit këtu jon të respektueshëm, i respektojnë njerëzit këtu që jon ardh, edhe jam shumë i kënaqur që u hap ky Etnofesti, edhe po vijnë motra e vëllezër kosovarë….Ata që vijnë munden me pa që ky është vend i shëndosh, i lojërave , që kënaqen, bashkohen mes vete djemë e vajza, është kënaqësi e madhe… Unë jam ftohë një herë krejt, thashë mbet fshati vetë, mirëpo tash që është pasuruar jam shumë i kënaqur, më i kënaqur se tash vetëm një herë kam qenë, kur më kanë shpëtuar fëmijët prej luftës”, rrëfen ai.

Kjo shtëpi përfaqëson histori, e njohur si më e vjetra e këtij fshati, kjo ‘fortifikatë’, tash e nëntë vjet, ka hapur dyert për të pritur mysafirë të shumtë nga e gjithë bota. Në fshatin e bukur Kukaj të Prishtinës, për nëntë vjet me radhë po vazhdon edicioni i Festivalit Etno Fest, i cili promovon vlerat e mirëfillta të artit dhe kulturës tradicionale dhe moderne.

Drejtori artistik i Etno Fest, Ilaz Hysaj thotë për KosovaPress, se ky festival është një aktivitet i gjerë. Ai tregon për aktivitetet që janë përfshirë gjatë edicionit të sivjetmë.

“Kemi shumë ekspozita të arteve pamore, ekspozita etnografike, kemi shumë pjesë të teatrit dhe performanca të ndryshme. Atelie demonstrative, zeje të vjetra dhe artizanale, kulinari tradicionale. Dhe shumë aktivitete të tjera, që në një formë apo tjetrën e prezantojnë në një mënyrë gjithëpërfshirëse traditën, kulturën tonë të vjetër që po rrezikon të zbehet ose zhduket”, tha Hysaj.

Vizitorët kanë mundësi të shohin 11 ekspozita, tri etnografike dhe tetë të arteve pamore, punime artizanale e atelie të skulptorëve. Ai thotë se është shumë i kënaqur me numrin e vizitorëve në këtë edicion.

“Me shiqu ditën e parë edhe të dytë, e kemi vërejtur që këtë vit kemi një rritje të ndjeshme të publikut dhe gjitha shtresave, prej fëmijëve, të moshuarve, të cilët po qëndrojnë deri në orët e vona të natës, sepse kemi program argëtues, pas programit zyrtar., mjaft relaksues me ambiente shumë të veçanta, përafërsisht dje edhe pardje kemi pasur rreth 500-600 persona në ditë dhe presim që kjo të jetë në rritje sidomos në ditët e fundit”, ka thënë ai.

Në shtëpinë ku tashmë po promovohet tracionalja, është edhe skena për shfaqje. Arta dhe Valmiri po bëjnë përgatitje për shfaqjen ”Karrigat”, shfaqje kjo e cila kishte premierën më datën 17, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Si dy aktorët dhe personazhet kryesore, ata do të luajnë rolin e 94 vjeçarëve, të cilët gjatë gjithë kohës presin që t’ua hap dikush derën.


E Valmir Krasniqi, i cili luan plakun në këtë shfaqje, thotë se teksti është shumë absurd dhe se është sfidë e madhe për të luajtur një rol të tillë.


Regjisori i shfaqjes “Karrigat”, Astrit Bytyqi tregon se për këtë shfaqje kanë punuar më shumë se dy muaj.


Bytyqi tregon se çfarë përmban kjo shfaqje.


Temë qendrore e Etno Fest sivjet është shtëpia tradicionale e shqiptarëve. Ky festival ka nisur më datën 20 gusht dhe do të përfundojë sonte.


Plaku më i vjetër i këtij fshati, i cili i vetëm tashmë po mban të ‘gjallë’ këtë fshat, nuk rresht së kënduari këngë të cilat ia kujtojnë të kaluarën

loading…