“Miku im, qëndro VERTIKALISHT!”, kështu fillon shkrimi i opinionistit Sadri Ramabajës për ambasadorin e Kosovës, Martin Berishaj, i cili po dyshohet të jetë përfshirë në një aferë të shpërlarjes së parave në Slloveni.

Ramabaja përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, sot konsideroi se raportimet për implikimin e Berishajt në skandalin financiar, janë luftë hibride sllave, përcjell Demokracia.com.

“Miku im, qëndro VERTIKALISHT!  Kalon edhe kjo furtunë e luftës hibride sllave e lloit të vet; të pa thyer të bën DINJITETI Yt si shkencëtar e malësor.  Prandaj mbetesh burrë Shqipnie! Respekt”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, reagimi i Ramabajës dhe kërkesa e tij ndaj Berishajt, që ky i fundit të qëndrojë vertikalisht, siç duket ka lidhje me ndihmën që instituti “Albanica” me seli në Lubjanë ia kishte dhënë atij në publikim e një libri.

Martin Berishaj është edhe drejtor i Institutit Kërkimor Shkencor “Albanica” në Lubjanë të Sllovenisë, përcjell Demokracia.com.

Gjatë vitit 2016, ky institut kishte ndihmuar në publikimin e librit të Ramabajës, gjë të cilën ky i fundit e kishte bërë të ditur përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

“ALBANICA, Instituti për hulumtime shkencore, me seli në Lubjanë, sapo ka dorëzuar librin tim në shtyp”, kishte thënë ai.

Ndërkohë, të mërkurën televizioni slloven, Planet Tv, raportoi se rreth 600 mijë euro cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni dhe se rolin e “mushkës” ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.

Sipas këtij televizioni, në xhirollogarinë MB Consulting, në pronësi të Berishajt të regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, përcjell Demokracia.com.

Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime.

Lidhur me rastin sot ka reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili ka paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani, në një përgjigje ndaj një gazetari, sot fillimisht e cilësoi si “dezinformatë” dhe “konstatim” këtë çështje, por më vonë e zbuti qëndrimin e saj, duke thënë se i ka kërkuar raport ambasadorit Berisha.

Njëjtë edhe kryeministri Kurti, i cili e ka mik ambasadorin Berishaj, duke cituar fjalët e këtij të fundit, tha se raportimet e mediave sllovene janë të pavërteta.