FOTO- VIDEO| Sa të afërt mes vete janë Rama e Rutte

Mark Rutte mund të jetë ndjerë borxhli ta organizojë një pritje të veçantë për mysafirin e 4 korrikut.

Në Hagë, kishte për t’i ardhur dikush që pikërisht në këtë datë e kishte ditëlindjen. E urimin për të, kryeministri holandez e ruajti ta thotë para gazetarëve kur dolën bashkë në konferencë.

Homologu i tij nga Shqipëria i mbushi 58 vjet. E në festë, Edi Rama e mori edhe një zotim nga miku që i organizoi pritje me muzikë e muhabet nën shoqërim të verës në një nga lokalet e qytetit emblematik.

Rutte, që me vendin e tij ishin më të rezervuarit karshi hapjes së negociatave midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, tani është shumë përkrahës për shtetin ballkanik, fati evropian i të cilit është lidhur ngushtë edhe me atë të Maqedonisë së Veriut, vendit që po kushtëzohet ta pranojë një ofertë franceze për zgjidhjen e kontestit bllokues me Bullgarinë.

“Në qoftë se kjo nuk pranohet, do të ketë më shumë mbështetje në Evropë që Shqipëria ta fillojë procesin e ndarë nga Maqedonia e Veriut”, tha Rutte.

Për më tepër, ai i premtoi Ramës edhe organizimin e një takimi holandezo-shqiptar si shenjë e miqësisë edhe midis vendeve që i drejtojnë.

Për këto të fundit mbetet të shihet, por për afrinë e këtyre të dyve nuk ka më askush dyshim.

Ishte shqiptari ai që ia kishte përgatitur një pritje unike e me plot dhurata, nëntorin e vitit të kaluar. Madje, ia dha bashkë të gjitha që ia kishte bërë gati edhe për dy vizitat e planifikuara paraprake, që kishin mbetur pa u realizuar.

Në videon e mëposhtme, shihet se si ishte mahnitur holandezi nga gjithë ky kujdes.

E respektin për Rutten, Rama e pati dëshmuar edhe një muaj më herët në samitin BE – Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë. Aty shqiptari doli më këmbëngulësi në një skenë qesharake kur të dytë po “shtyheshin” për t’i dhënë përparësi njëri-tjetrit për të hyrë në vendin e samitit.