Flasin nga Haga, sa mund ta vonojë Specialja publikimin e aktakuzave të konfirmuara

Më 24 gusht të këtij viti bëhen plotë gjashtë muaj që kur Prokurori i Specializuar i Hagës ka dorëzuar aktakuzat e para tek gjyqtari i Procedurës Paraprake. Brenda kësaj periudhe kohore sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara, gjyqtari duhet të vendos nëse e konfirmon apo nëse e hedh poshtë një aktakuzë.

Megjithatë në rast të konfirmimit të një aktakuze brenda këtij afati, është në dorën e gjyqtarit nëse vendos që ta bëjë publike atë ose jo.

Një gjë të tillë Gazetës Express ia kanë konfirmuar përmes një përgjigje me shkrim nga Dhomat e Specializuara.

Sipas Rregullit 88 të Rregullores për Procedura dhe Evidencë, gjyqtari i Procedurës Paraprake mund të vendos përkohësisht që të mos e bëjë publike aktakuzën për shkaqe të sigurisë apo me qëllim të shmangies së çfarëdo ndërprerje të procesit.

“Në bazë të specifikave të një rasti individual, gjyqtari i Procedurës Paraprake ka maksimalisht gjashtë muaj kohë të vendos nëse do ta konfirmoj apo hedh poshtë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, Rregullat e Procedurës dhe Evidencës parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar e që bëhet publike më vonë se gjashtë muaj, pas paraqitjes së saj tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake. Për shembull Rregulli 88 parashikon që Gjyqtari i Procedurës Paraprake mund të urdhërojë përkohësisht të mos zbulohet një aktakuzë e konfirmuar për arsye të sigurisë apo për të shmangur ndërprerjen e procedurave”, kanë thënë për Gazetën Express.

Megjithatë, limiti kohor deri kur një aktakuzë e konfirmuar mund të mbetet diskrete edhe pas gjashtë muajsh, është paraqitja fillestare e të akuzuarit para Gjykatës.

“Në çfarëdo rasti një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarit para Gjykatës”, kanë potencuar për Express nga Haga.

“Deri tani asnjë aktakuzë nuk është bërë publike, dhe derisa një aktakuzë e konfirmuar të bëhet publike, mbetet në mënyrë strikte si konfidenciale”, shtojnë në Hagë.

Mbetet të shihet deri më datë 24 gusht nëse gjyqtari i Procedurës Paraprake të Gjykatë Speciale do të vendos për bërjen publike të ndonjë aktakuze të dorëzuar në shkurt dhe e cila potencialisht mund të jetë konfirmuar.

Prokurori i Specializuar më 24 prill të këtij viti gjithashtu ka dorëzuar aktakuzë tek gjyqtari i Procedurës Paraprake edhe ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçit, dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit. Sipas përgjigjes së dhënë për Express nga Specialja, për konfirmimin potencial të aktakuzës për ndonjërin prej dy eksponentëve të lartë të UÇK’së nuk mund të dihet deri në caktimin e seancës fillestare. Afati për konfirmimin apo hedhjen poshtë të aktakuzës për Thaçin dhe Veselin është 24 tetori.