Kryeministri

Fitër Bajrami, Kurti pritet nga myftiu Naim Tërnava

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryeministri Albin Kurti me kabinetin qeveritar u mirëprit nga myftiu Naim Tërnava.

Në shënim të kësaj dite, kryeministri Kurti uroi të gjithë besimtarët dhe theksoi se muaji i Ramazanit, është muaj i sakrificës edhe i solidaritetit, teksa nënvizoi se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi.

Ai gjithashtu e falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës, në krye me myftiun Tërnava, për rolin, kontributin dhe bashkëpunimin.

Këtë pranverë, që këtë vit përkon edhe me festën e Fitër Bajramit, kryeministri veçoi se çdo ditë po përkujtojmë 25-vjetorë të masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin e Kosovës, si dhe betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë ditë feste të bekuar dhe të rëndësishme për të gjithë besimtarët, kryeministri Kurti përkujtoi edhe 37 imamët të cilët kanë rënë dëshmorë të kombit, në luftën e fundit në Kosovë.