Financat e Telekomit në duart e militantit të Vetëvendosjes

Financat e Telekomit nga sot do të jenë në duar të militantit të Lëvizjes Vetëvendosje, Feim Kelemendi. Kështu ka vendosur Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.A, duke e emëruar atë si zyrtar kryesor i Financave, gjatë një mbledhje të premten. Kelmendi, i cili ishte ngritur në detyrë në Telekom pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, është një militant partiak i LVV-së dhe adhurues i kryeministrit Albin Kurti.

Tendencat e tij partiake dhe afërsia me Lëvizjen Vetëvendosje vërehen në komunikimet e tij publike në rrjetet sociale, shkruan Paparaci.

“Qata që thojnë s’ka Zot ka me jau thy Zoti qafën, kush tjetër pos të madhit Zot kish ditë me kriju këtë qenie kaq të kompletuar”, e glorifikonte drejtori i Financave në Telekom, figurën e kryeministrit Kurti.

Në një publikim tjetër në Facebook, Kelmendi publikisht e quan Klan Kosovën pronë të një grupi “mafiozo-kriminal”.

“[Klan Kosova] ka mision degjenerimin e shoqërisë ashtu siç janë të degjeneruar pronarët e tij”, shkruante ai.

Ndaj gjuhës së tij denigruese ndaj gazetarëve kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, pasi javë më parë Kelmendi i është referuar Klan Kosovës si “televizion i klanit kriminal Devolli”, dhe gazetarëve si “shërbëtorë të klanit kriminal”.

Kelmendi, nga sharjet e tij nuk ka kursyer as partitë opozitare.

E së fundmi ai ka pasur edhe një postim kundër kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, duke e quajtur djaloshi me flokë të “lmojta”.

Të premten Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.A, me vendim unanim zgjodhi Feim Kelmendin në pozitën e zyrtarit kryesor të Financave dhe Thesarit në Telekom.