Më në fund monumenti i cili e identifikon pavarësinë e Kosovës “NEW BORN” do të ketë bazamentin e tij.

Ndërtimi i këtij bazamenti ishte paralajmëruar qysh prej muajit shkurt të vitit 2018, kur bashkë me pavarësinë edhe monumenti kishte mbushur 10 vjet.
Por, hapja e tenderit nuk u bë deri në janar të vitit 2019 dhe u parashikua që ai do të përfundojë deri në verë të atij viti, gjë që nuk ndodhi, raporton Ndërtimi.info.

Ndërsa, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës iu kthye edhe njëherë bazës së New Bornit, duke nënshkruar kontratën për realizimin e këtij projekti.
E kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pati thënë se punimet do të fillojnë pas shënimit të përvjetorit të pavarësisë, meqenëse sikur të fillonin më herët ato nuk do të përfundonin.

Tashmë, monumenti që iu ndryshua pamja këtë muaj, është rrethuar në mënyrë që këto punime të kryhen.

Projekti do të kushtojë mbi 22 mijë euro dhe do të kryhet nga kompania “Izolimi Construction”, me afat prej 45 ditësh, që nga dita e fillimit.

Sipas përshkrimit të dosjes së tenderit, baza e monumentit është paraparë si një pllakë masive nga betoni i armuar me trashësi 20 centimetra. Aty sqarohet se si mbrojtje nga lagështia është paraparë që pllaka të lyhet me ngjyrë mbrojtëse me tri shtresa.

Media Ndërtimi, në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës realizoi edhe një reportazh në të cilin paraqiti një rrëfim ndryshe për NEWBORN-in nga njeriu që e lindi atë, pra nga Fisnik Ismaili.