Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu pas reagimit të kandidates së LDK-së, për pozitën e kryeministrit i ka reaguar kësaj të fundit duke thënë se nuk është e ndershme që të keqcitohet Albin Kurti në atë që ka thënë për Elez Blakajn, sepse në këtë mënyrë nuk fitohet respekti.

Përmes një shkrimi të bërë në Facebook, Haxhiu ka shkruar atë që në Podujevë ka deklaruar Kurti, derisa thotë se janë dy pohime që i ka bërë ai.

“Janë dy pohime të kryetarit Kurti: 1) Elez Blakajn do ta kthejmë si simbol; 2) Do ta bëjmë kryeprokurorin e shtetin dhe prokurorët që e luftojnë krimin e korrupsionin. Nuk është e ndershme të keqcitosh Vjosë, nuk fitohet respekti kështu”, ka shkruar Haxhiu.

Sot ndërkaq, në një paraqitje para mediave, Vjosa Osmani ka kritikuar ashpër këtë ide të Kurtit, derisa të njëjtën e ka quajtur logjikë të ‘Prontos’.

“Për mua është e pakonceptueshme se si sot ka liderë politikë dhe kandidatë për kryeministër të cilët thonë se unë kam vendosë që filan fistekin ta bëjë prokuror. Kjo leje që është jokushtetuese por është edhe e rrezikshme”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, nuk ka të drejtë asnjë kryeministër të vendosë se kush të bëhet kryeprokuror.

“Është taman logjikë e Prontos, është logjika e njëjtë. Në rregull, unë po e hjek këtë prokuror, nuk ka të drejtë një kryeministër të vendosë kë ta bëjë kryeprokuror as nuk duhet të përzihet”, tha ajo.

“Detyra e një qeverie është të krijojë kushte të tilla që asnjë politikan të mos kërcënojë, të krijojë kushte ku në gjykata ka mjaftueshëm njerëz profesionistë. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë vendosë aty nga dora e krimit. Ne nesër nuk do të bashkëqeverisim me parti të tilla”, ka deklaruar Osmani.

loading…