Fillimi i fundit i ariut të rraskapitur rus

Nga: PA Piro Ahmetaj

Në kapacitetin e ekspertit të sigurisë kombëtare, rajonit dhe NATO-s, kam ndjekur me përgjegjësi shtesë 350 ditët e luftimeve në fushëbetejën e Ukrainës: Dhjetëra konferenca të Këshillit të Atlantikut, Institutit të Luftës në Uashington, panele me ekspertë/personalitete të sigurisë në Uashington, Bruksel, Qendrën Marshall, në Gjermani, në Londër, Paris, Kolegjin e NATO-s, Romë etj. Në shtesë të dhjetëra publikimeve me fokus këtë subjekt, po paraqes një përmbledhje strategjike gjatë 2022 si dhe pritshmëritë për 2023.

I. Rreth 78 vite mbas fitores mbi nazifashizmin dhe 32 vite mbas rrëzimit të murit të Berlinit dhe kur kampi lindor me në krye BRSS-në u shkërmoq në paqe, lufta si koncept si dhe agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të një vendi sovran, pothuaj kishte dalë jashtë mode nga doktrinat, terminologjia e institucioneve shtetërore, instituteve dhe e akademive të sigurisë globale, rajonale, kombëtare etj. Prandaj, viti 2022 do të skalitet në memorien e historisë së njerëzimit si viti i riciklimit të ndërmarrjes kriminale të luftës.

Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në 8 maj 1945, regjimi Putinit më 24 shkurt 2022 iu rikthye përqasjes neonaziste të ndryshimit të kufijve shtetërorë, status-kuosë, hartës, balancave gjeopolitike nëpërmjet agresionit ushtarak dhe fuqisë së armëve vrastare. Luftën nuk e bëjnë armët, por njerëzit me mendje të deformuar. Prandaj, duhet ritheksuar fort se edhe kjo luftë nuk është kurrsesi mes popullit rus dhe atij ukrainas, por kundër të keqes së përbashkët dhe oscilacione staliniste të Putinit.

Makineria ushtarake e Putinit e nisi agresionin në 24 shkurt, me konceptet e vjetra; nxori nga depot armatime dhe pajisje ushtarake të ndryshkura, me vlerësime euforike si dhe me objektiva dhe me pritshmëri perandorake (nënkupton ëndrra paranojake), por rezultoi e humbur, e rraskapitur, e izoluar dhe e diskredituar në fund të vitit 2022. Kështu, pasi përgjatë vitit 2022 Rusia humbi 40 për qind të territoreve të pushtuara (përfshi Hersonin e shpallur si pjesë të mëmës Rusi), la në fushëbetejë 120 mijë të vrarë, kostoja financiare i kaloi tre trilionë euro (dy herë më shumë së Prodhimi i Përgjithshëm Neto për vitin 2022 që ishte 1.7 trilion); dëshpërim të moralit të ushtrisë dhe kohezionit të kombit rus, tërësisht e rraskapitur në humbjen e epërsisë si dhe të iniciativës strategjike.

Gjatë vitit 2022, Rusia putiniste u izolua nga mbarë bota e qytetëruar: Ndër 194 vende, vetëm katër shtete terroriste njohën fillimin e kësaj aventure neo-naziste; për shkak të kësaj lufte rrezikon përjashtimin nga pesëshja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe në mos herët jo shumë vonë është e sigurt që Putini dhe gjeneralët e tij do të përgjigjen për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare. Ndërsa, për edhe më keq, Putinit refuzojnë t’ia japin dorën edhe liderët autokratë të Azisë Juglindore dhe aleatë tradicionalë të Rusisë.

I kanë mbetur aleatë vetëm shtetet terroriste si Irani, Koreja e Veriut apo së fundmi Junta e Malit pas masakrave të të cilëve jo rastësisht janë mercenarët Wagner të Putinit (të njëjtët në Ukrainë). Gjatë vitit 2022, Rusia putiniste i humbi betejat për të testuar kohezionin mes vendeve të NATO-s dhe BE-së duke kërcënuar edhe me gazin si armë gjeopolitike – për të sfiduar rendin global të sigurisë, kufijtë gjeopolitike dhe interesat euroatlatike. Në të kundërtën, mbi 30 miliardë euro armatim dhe pajisje ushtarake moderne, flasin fort për kohezionin e përforcuar dhe mbështetjen kritike të Aleancës Transatlantike.

Gjatë vitit 2022, Rusia (keq) dështoi në shpresën dhe përpjekjet për të hapur një front të ri lufte duke frymëzuar grupet kriminale, agjendën e pushtetarëve të korruptuar dhe ekstremistët e tipit Dodik në Ballkan apo duke ricikluar oscilacionet e Millosheviqit në Beograd, duke kërcënuar me agresion ushtarak ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës si dhe ndaj prezencës së NATO-s/KFOR-it (sipas marrëveshjes ushtarake të Kumanovës – 06/1999). Nga ana tjetër, agresioni i Rusisë putiniste ndaj sovranitetit të Ukrainës i dha një mësim të madh mbarë njerëzimit pasi konfirmoi se paqja nuk është dhuratë e përjetshme.

Thënë këtë, shpresoj që kjo luftë të ulërasë si sirenë alarmi për të mbajtur zgjuar institucionin e mos harresës së krimeve të luftës si dhe mesazhit të gjashtë milionë martirëve (jo viktimave!) hebrenj të Holokaustit: kurrë mos harroni! Viti 2022 konfirmoi se agresioni ushtarak i Rusisë nuk është i adresuar vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por siç e nënvizoi presidenti ukrainas, Zelensky në fjalën e tij historike në Kongresin Amerikan: “Mbetet një kërcenim serioz ndaj rendit dhe mekanizmave të sigurisë globale, ndaj kufijve të demokracisë, vlerave perëndimore dhe interesave euroatlantike (ShBA/NATO/BE)”!

Në përmbledhje, fundi i vitit 2022 ishte vetëm fillimi drejt humbjes turpëruese që e pret Rusinë gjatë vitit 2023 për pushtimin e Ukrainës, si dhe e diskreditimit të luftës neonaziste në përballjen me fuqinë e vlerave demokratike, fuqinë ushtarake, forcën e kohezionit dhe solidaritetit të Aleancës Transatlantike.

II. Vitin 2023 Rusia e ka nisur me një përpjekje të dëshpëruar të ariut të rraskapitur ose e bishës së plagosur rëndë në një vit luftimesh. Ajo ka shpallur fushatën e hakmarrjes së madhe kundër Ukrainës dhe vendosmërisë së Perëndimit.

Edhe pse sigurisht mund të arrijë disa objektiva operacionale në terren, por e parë në kontekstin e oscilacioneve të humbësve edhe kjo do të përfundojë si përpjekje kamikaze, e ngjashme me atë të Hitlerit në prillin 1945, i cili në fundin e tij shpalli mobilizimin edhe të mbi dhjetëvjeçarëve duke e marrë zvarrë kombin gjerman në një aventurë vetëvrasëse. Ukraina më 2023 po përballet me heroizëm për të mbrojtur territoret e rimarra dhe mbajtur iniciativën strategjike, si dhe për të vijuar me mësymjen deri në rikthimin e status-kuosë së Krimesë para vitit 2014.

Gjithsesi, të gjithë e pranojmë se fati i luftës është i ndërlidhur me mbështetjen, nga e ShBA-së, NATO-s etj., me armatime moderne (sa më shpejt edhe më mirë). Prandaj, në konferencën ekonomike të Davosit, liderët e mbarë botës e ritheksuan fort se vetëm kohezioni i botës demokratike dhe mbështetja me armët moderne do të sigurojë fitoren përfundimtare të luftës nga Ukraina. Kështu, me nisjen e vitit 2023, ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania etj., kanë konfirmuar dërgimin e tankeve (Abrams, Challenger dhe Leopard 2/1) të gjeneratës se fundit, të cilët do të vendosin fatin e luftës në tokë (fillimisht 140 tanke, ndërsa paketa e plotë deri 350).

E tmerruar nga supremacia në manovër dhe fuqinë e zjarrit të tankeve të Perëndimit, Kremlini po përdor qasje të bandave terroriste, si p.sh. duke stimuluar ushtarët me 70 mijë euro për çdo tank Leopard etj.! Gjithsesi, duhet thënë se ka befasuar Greqia që edhe pse zotëron rreth 350 Leopard 2 dhe 500 Leopard 1, ka konfirmuar se nuk do t’u bashkohet 12 vendeve të NATO-s për të dërguar tanket në Ukrainë. Ndërsa, shumë keq është pritur edhe qëndrimi i presidentit të Kroacisë në raport me qasjen e Zagrebit zyrtar ndaj pavarësisë së Kosovës apo pasojave të luftës në Ukrainë … E lexuar si kosto financiare, paketa e mbështetjes e ShBA-së dhe vendeve të NATO-s (sistemet Patriot, dronë tanke, etj. të gjeneratës së fundit) shkon më shumë se 70 miliardë euro.

Ndërsa, pak ditë më pamë liderët e BE-së në Samitin historik të Kievit konfirmuan që ndihma financiare gjatë vitit 2023 do të jetë 18 miliardë euro, pa përfshirë mbi shtatë miliard euro nga Norvegjia. Pra, në total, lufta apo për më mirë fitorja e Ukrainës do të mbështetet me rreth 100 miliardë euro për vitin 2023. Nga ana tjetër, shifrat e jashtëzakonshme financiare flasin për vendosmërinë e Perëndimit për fitoren e Ukrainës. Ndërkohë është konfirmuar edhe mbështetja për anëtarësimin në BE dhe në NATO, siç i konfirmoi BBC-së presidenti i zgjedhur i Çekisë, ish-gjenerali Petr Pavel.

Por, dilemat për fundin e luftës dhe përkujdesja e shtuar janë rrjedhojë e armëve bërthamore që trashëgon Rusia (5977 njësi kundrejt 5428 që ka ShBA-ja; 290 Franca; 225 Mbretëria e Bashkuar), me të cilat kërcënon se do t’i bëjë gjëmën qytetërimit. Por, gjykoj se nëse do të guxonte, Rusia do të ndëshkohej në mënyrë shembullore, ndërsa putinistët ashtu si nazistët: Për krime kundër njerëzimit. Duke e lexuar këtë përmbledhje me “sytë” e kolegëve në Uashington, Bruksel, Londër etj., vijojmë ende të besojmë fort që viti 2023 në Ukrainë është fillimi i fundit të ariut të plagosur shumë rëndë nga përballja me Ukrainën martire.

Krahas humbjes në Ukrainë, gjatë vitit 2023 Rusia do të gjunjëzohet e diskredituar edhe në përballjen me fuqinë ushtarake të ShBA/NATO-s, si dhe me kredibilitetin dhe interesat gjeopolitike të demokracisë të Aleancës Euroatlantike. Do ishte e padrejtë të mos përshëndesnim rolin aktiv, peshën dhe imazhin e Republikës së Shqipërisë, si rrjedhojë e përfaqësimit krah ShBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së; rolin aktiv dhe mbështetjen e pa kushtëzuar të vendimmarrjeve në NATO, si dhe kontributeve me shumë se modeste që vijon t’i japë Ukrainës.

Në shtesë, me statusin e ekspertit në peshimin e impakteve të luftës ndaj interesave të sigurisë kombëtare, do t’i këshilloja faktorët shtetërorë të Tiranës zyrtare që: Humbja e luftës, izolimi dhe diskreditimi ndërkombëtar si dhe kolapsi ekonomik që e pret Rusinë në vitin 2023, për pasojë edhe e peshës së Serbisë në rajon, është një rrethanë e artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të Shqipërisë në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha me ShBA-në, NATO-në dhe OKB-në, si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat kombëtare në rajon, Mesdhe etj.

Zoti e bekoftë paqen jo vetëm në Ukrainë, fuqinë ushtarake dhe Aleancën e vlerave Transatlantike si dhe interesat kombëtare të Shqipërisë.