Feronikeli përforcohet me ish-reprezentuesin e Kosovës

Qendërmbrojtësi Alban Pnishi i është bashkuar Feronikelit.

Klubi nga Drenasi ka prezantuar ish-reprezentuesin e Kosovës, që së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Bnei Yehuda në Izrael. Nga janari ishte lojtar i lirë.

Para Bnei Yehudas, Pnishi është paraqitur edhe në Wohlen e Grasshopers në Zvicër.

“Ai ka edhe paraqitje me reprezentacionin e Kosovës dhe shpresojmë që përvoja e tij të jetë tejet e dobishme për skuadrën”, thuhet në njoftimin e klubit.

Te Kosova ishte paraqitur tetë herë, me ndeshjen e fundit më 2017.

29-vjeçari në karrierën e tij ka pasur 275 paraqitje. Deri tash ka realizuar katër gola.