Ferizaj

Ferizaj përkujton dëshmorët Naim Beka dhe Agim Matoshi

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, drejtorë komunal, përfaqësues nga organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëluftëtarë dhe qindra qytetarë bën homazhe tek varrezat e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, në nderim të jetës dhe veprës së Dëshmorëve të Kombit, Naim Beka – Sokoli dhe Agim Matoshi.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu me këtë rast tha se dy trimat e Ferizajt, Naim Beka dhe Agim Matoshi janë shembulli më i mirë ku trimëria, zgjuarsia dhe atdhedashuria farkojnë lirinë e popullit tonë.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi tha se këta dy dëshmorë ishin ushtarë dhe trima të pashembullt të historisë më të re të kombit shqiptar.

Ndërsa, Rafiz Sejdiu, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dega në Ferizaj tha se dy Dëshmorët e Kombit, Naim Beka dhe Agim Matoshi, që po përkujtojmë sot në përvjetorin e rënies së tyre heroike ishin ndër ushtarët e parë të UÇK-së dhe themeluesit e Batalionit të Logjistikës, të shquar për trimërinë dhe zgjuarsinë e tyre.

Homazhet u përmbyllen me përkulje para varreve të Dëshmorëve të Kombit, Naim Beka dhe Agim Matoshi si dhe vendosjen e kurorave të luleve pranë Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj.