FAZ: Vaksina e tuberkulozit mund të ndihmojë kundër koronavirusit

Në shkrimin e gazetës gjermane thuhet se kjo vaksinë ka arritur që ta parandalojë sëmundjen Covid-19 që të arrijë në shkallë të rëndë.

Sipas drejtorit emeritus të Institutit “Max Planck” për Biologji Infektive në Berlin, Stefan Kaufmann, vaksinimi me këtë përbërës aktiv nuk mbron nga infektimi. Megjithatë, ka shenja në rritje se vaksina mund ta zvogëlojë rrezikun nga sëmundjet ngjitëse.

Gazeta gjithashtu raporton se studimet e para klinike do të fillojnë brenda disa ditëve në shtetet të ndryshme. Aty do të marrin pjesë mjekë dhe infermierë që tash për tash janë të ekspozuar ndaj një rreziku të madh të infektimit.

Një version i përmirësuar i vaksinës do të jetë së shpejti në dispozicion në Gjermani, ndërsa hulumtuesit shpresojnë se do të arrijnë ta mbrojnë stafin mjekësor nga problemet serioze.

Kaufmann thotë se kjo është një zgjidhje e përkohshme derisa në treg të dalë një vaksinë specifike kundër virusit Sars-cov-2.