Fatmir Limaj ka një premtim për Gramozin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se është takuar me Gramoz Berishën.

Gramozi është djaloshi i cili i mbijetoi masakrës së Suharekës, derisa ishte hedhur bashkë me nënë e tij nga kamioni që po i dërgonte për t’i pushkatuar.

“Forca që sot e ka Gramozi na e rikujton obligimin që kemi ndaj drejtësisë dhe vendit”, ka shkruar ndër të tjerash Limaj, përcjell Ballkani.info.

Postimi i plotë:

E nisa ditën duke e takuar Gramoz Berishën.

Ai është djali që i mbijetoi masakrës së Suharekës, derisa ishte hedhur bashkë me nënën Vjollcën nga kamioni që po i dërgonte drejt varrit.

Para 20 vitesh atij i’u vranë nga forcat serbe babai, motra, vëllai, tre axhallarë me familjet e tyre dhe shumë kushërinjë.

Prej 48 viktimave, 24 ende janë të pagjetur. Forca që sot e ka Gramozi na e rikujton obligimin që kemi ndaj drejtësisë dhe vendit.

Ky rast është dëshmia më e mirë se si Serbia ka manipuluar me drejtësi të rrejshme dhe dëshmon nevojën që ne të kemi drejtësi të paanshme.

Në cilësinë e kryesuesit të dialogut shtetërorë i premtova Gramozit se nuk do të lëmë gur pa lëvizë që drejtësia të vije në vend.