Familjarët e rregullojnë vetë Lapidarin e Dëshmorëve në Uçë të Istogut

Mëngjesi i 31 janarit të vitit 1992 ishte ditë e rëndë për fshatin Uçë me rrethinë.

Policia serbe ia kishte mësyrë Uçës që t’i arrestonte mësimdhënësit Agim Haxhiu, Elez Beqiri dhe të tjerë, të cilët po mbanin orë mësimore fshehurazi në gjuhën shqipe. Dhe, në mbrojtje të Shkollës Shqipe, në fushën e nderit ranë dëshmorë Bajram Hoxhaj, Muharrem Hysenaj dhe Hasan Hysenaj.

Në nderim të veprimtarisë së tyre, sot shkolla e këtij fshati i mbanë me krenari emrat e tyre. Aty ndodhet lapidari në formë të librit, që simbolizon rezistencën e atyre viteve e sakrificën e këtyre tre burrave të fshatit Uçë, shkruan Demokracia.com.

Edhe në këtë fshat, si në shumë shtëpi shqiptare, banorët kishin hapur dyert për të pritur nxënësit e mësimdhënësit e kësaj ane. Një grup i fëmijëve derisa po shkonin në njërën nga këto shtëpi, ishin ndalur nga policia serbe që po vinte nga drejtimi i kundërt prej nga këta nxënës ishin nisur. Fëmijët ishin ndalur e ishin pyetur për adresën se ku ishin nisur, derisa mundoheshin t’i fshihnin librat në trupin e tyre. Krejt kjo situatë ishte zhvilluar shumë pranë dyerve të shtëpive të familjes Hysenaj dhe Hoxhaj, të cilat shumë shpejt ishin njoftuar për ndeshjen e fëmijëve me forcat policore serbe.

Vrasësit ishin larguar me shpejtësi, për t’u kthyer me autoblinda e me armatime të shumta, tytat e të cilave po drejtoheshin dhe po mbanin në thumb masën e tubuar të fshatarëve.

Fshati Uçë këto ditë shënon 30 vjetorin e kësaj ngjarjeje. Është asamblisti i komunës së Istogut, Nexhdet Ramaj, ai që ka njoftuar se më 31 janar, në orën 11:00, në mënyrë të organizuar do të bëhen homazhe pranë Lapidarit të Dëshmorëve në Uçë.

Ramaj ka treguar se familjarët e dëshmorëve e kanë rregulluar vetë lapidarin, pasi që pushteti komunal, sipas tij, në natën e zgjedhjeve kishte dërguar një firmë ndërtimore për gjoja rregullimin e lapidarit, duke vendosur vetëm dy krahë betoni dhe ishte larguar pa e përfunduar në tërësi.