Rrjeti Social

Facebook padit në gjykatë Bashkimin Evropian

Facebook dërgoi sinjalin e parë se nuk do të dorëzohet lehtë duke dërguar në gjykatë Bashkimin Evropian.

BE-ja ka nisur dy hetime ndaj praktikave të Facebook nëse ka cënuar ligjet e konkurrencës. Për të grumbulluar më shumë informacion, Komisioni Evropian ka kërkuar dokumente të brendshme nga Facebook.

Rrjeti social dërgoi një apelim në gjykatën Evropiane duke argumentuar kundër dërgimit të dokumenteve.

Komisioni Evropian bëri të ditur se do të mbrojë rastin dhe hetimin ndaj sjelljes anti-konkurruese të Facebook.

Megjithatë ky i fundit nuk ka refuzuar dërgimin e dokumenteve. Shqetësimi i Facebook është tek natyra e gjerë e hetimeve të Komisionit Evropian i cili ka kërkuar akses edhe në dokumente që nuk kanë të bëjnë me hetimin e tij përfshirë informacione sensitive personale të punonjësve, dokumente financiare dhe informacione private të familjeve të punonjësve.

Një zëdhënës i Facebook tha se qëllimi i tyre nuk ishte pengimi i hetimit. Rrjeti social kishte ofruar hetuesve të komisionit që të shikojnë dokumentet në një hapësirë të sigurtë dhe pa bërë kopje të tyre, por oferta ishte refuzuar.