Këshilli i Evropës

“Është bërë një kompromis”: A do t`i kërkojë QUNT-i këtë javë Qeverisë dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese?

Gjatë kësaj jave pritet të ketë qartësime në lidhje me kushtet e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Analisti Burim Ramadani, i cili ka qenë edhe kryeinspektor i AKI-së ka bërë me dije se gjatë kësaj jave vendet e QUNT-it do të ia prezantojnë Qeverisë së Kosovës kërkesën konkrete për anëtarësim në KiE.

Sipas tij, vendet perëndimore do të kushtëzojnë votimin në Asamblenë Parlamentare të KiE-së me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.

“Pjesa që mund të ndodh dhe sipas gjitha gjasave gjatë kësaj jave është që QUNT-i do t`i paraqes Qeverisë së Kosovës kërkesën se procedimi i Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese është parakusht për votat në Këshill të Evropës. Kjo sipas gjitha gjasave do të mund të ndodh gjatë kësaj jave”, ka thënë Ramadani në emisionin “Pressing”.

Ai ka treguar se për këtë çështje është bërë edhe një kompromis nga aleatët e Kosovës.

“Ka pas zhvillime gjatë kësaj periudhe të fundit dhe ka pasur kompromis edhe brenda QUNT-it dhe është tërhequr parakusht për çështjen e shpronësimeve në veri. Pra, një shtet brenda QUNT-it që ka insistuar për një kompromis dhe kompromisi ka qenë që të tërhiqet çështja e shpronësimeve në veri si parakusht”, është shprehur Ramadani, duke shtuar se pa dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese nuk do të mund të avancojë Kosova drejt anëtarësimit në KiE.

“Kjo i bije se do të ia qartësojë Qeverisë Kurti se nuk do të mbështesin këtë herë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës nëse nuk procedohet”, ka deklaruar ai.

Qëndrimi i BE-së

Bashkimi Evropian nuk ka dashur të flasë nëse Asociacioni do të jetë kush për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Zëdhënësja e Zyrës së BE-së, Loanna Lachana, ka bërë me dije për gazetën Nacionale se vendosja e kushteve për këtë proces iu takon vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

U takon anëtarëve të Këshillit të Evropës që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin e saj”, ka thënë Lachana.

Pavarësisht zhvillimeve në procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE, ajo ka thënë se çështja e Asociacionit vazhdon të jetë një obligim ndërkombëtarë që duhet ta zbatojë.

“Pavarësisht nga diskutimet e KiE, BE-ja vazhdon të presë që të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së 2023 mbi Rrugën drejt Normalizimit të zbatohen në mënyrë të përshtatshme, në mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra – për të cilën Palët ranë dakord në Aneksin e Zbatimit në Ohër. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, që është mënyra më konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb të Kosovës”, ka thënë ajo.

SHBA-ja ka përmendur dy kushte

Ndryshe nga BE-ja, ditë më parë, SHBA-ja ka përmendur obligimet që Kosova ka në raport procesin e anëtarësimit në KiE.

Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se në këtë proces Kosova ka dy kushte.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka përmendur Asociacionin dhe çështjen e shpronësimeve në veri.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ka theksuar Escobar, në një intervistë për REL-in.

VIDEO BONUS: