Escobar sonte në Prishtinë, takohet me opozitën

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sonte do të zhvillojë takim me partitë opozitare në Kosovë, kurse nesër do të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vizita e tij në Kosovë vjen dy ditë para takimit të radhës Kurti-Vuçiq që do të mbahet të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta 10.

Escobar para nisjes për në Kosovë, sot ka zhvilluar takime në Serbi në përpjekje për të bindur palën serbe për të pranuar planin evropian.

Escobar në Serbi mbajti një konferencë për media, ku foli për pritshmëritë e tij nga takimi i Ohrit. Ai tha se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.

I dërguari i veçantë për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së gjithashtu tha se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet deri në fund të këtij viti.

“Nuk pres që tani të ketë nënshkrime, por shpresoj për progres. Mundësitë do të ishin shumë pozitive për rajonin”, tha ai.

Ai foli edhe për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se asociacioni do të bëhet, por çështja është se sa shpejt do të ndodhë kjo dhe cili model do të aplikohet.

“Kur flas për këtë si kërkesë, nuk dua të provokoj një konfrontim apo ta minoj si sfidë. Fakti është se Asociacioni figuron në Marrëveshjen e Brukselit. Është pjesë e konkluzioneve të këshillit politik dhe të SHBA-së. Do të realizohet, pyetja e vetme është se sa shpejt do të realizohet. Pjesa e dytë është se çfarë modeli do të aplikohet. Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak dha disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj komuniteti në BE, për të dhënë të drejtat e pakicave për të vendosur vetë fatin e tyre, kjo duhet të ndihmojë në afrimin e vendeve dhe ne do të donim që një nga ato modele të shërbejë si model edhe për Asociacionin”, tha Escobar.