Emisari amerikan

Escobar shpalos dy kushtet e radhës për pranimin e Kosovës në KiE, njëri është Asociacioni

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përsëriti se vendimi për t’ia regjistruar tokën Manastirit të Deçanit është “shumë pozitiv”.

Por, ky s’ishte kushti i vetëm që Kosova duhej të plotësonte për të realizuar synimet e saj për anëtarësim. Escobar thotë se ai kyç është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha Escobar në një intervistë sot për Radion Evropa e Lirë.

Kur u pyet nëse vendi i tij do të lobojë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Escobar tha se janë “duke i vlerësuar të gjitha opsionet”.

“Neve ende na duhet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe]. Ai është kyç. Dhe, kur të flasim për zgjerim, do t’ju shpjegoj pse Asociacioni është kaq i rëndësishëm”.

Për Asociacionin, Escobar tha se marrë ndonjë konfirmim se kryeministri Kurti do ta çojë përpara këtë çështje së shpejti.

“Asnjë, fare. Tani më lejoni t’ju tregoj pse kjo është e rëndësishme. Më lejoni t’ju tregoj se çfarë është Asociacioni. Asociacioni është në të vërtetë aftësia e komunave me shumicë serbe për të ofruar shërbime në gjuhën serbe, shërbime të cilat ato tashmë kanë të drejtë t’i ofrojnë. Kjo është e gjitha. Asnjë pushtet ekzekutiv, asnjë shtet brenda shtetit, asgjë që do t’u jepte atyre një veto mbi kushtetutshmërinë apo funksionalitetin tuaj. Dhe, asgjë jashtë strukturës së kornizës ligjore të Kosovës. Pra, me fjalë të tjera, është duke ofruar garanci dhe pak vetëmenaxhim për pakicat, që e kanë tashmë pakicat e tjera brenda Evropës dhe brenda Shteteve të Bashkuara. Pra, kjo nuk është asgjë tjetër përveçse e sjell marrëdhënien e Kosovës me pakicat e saj në nivel evropian. Prandaj, ka qenë në Planin e Ahtisaarit, prandaj është në atë [marrëveshjen] të Brukselit, prandaj është në atë [marrëveshjen] të Ohrit. Prandaj, duhet të vazhdojmë shpejt”.

Emisari amerikan tha se Asociacioni është i rëndësishëm për Kosovën edhe në rrugën e saj drejt BE-së.

Duke folur për vendimin për Manastirin e Deçanit, Escobar tha se ajo nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin, “megjithëse pjesërisht është, por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese”.

“Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Dhe, kështu që duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë. Pra, Kosova tani po tregon që ka pjekurinë për t’i pranuar rezultatet e një vendimi kushtetues, sado jopopullor të jetë. Por, është gjëja e duhur për t’u bërë sepse është gjëja ligjore që duhet bërë. Kështu që, do të ketë një efekt”.

BONUS VIDEO| Escobar mbërrin në Qeveri, zhvillon takim me Kurtin