Escobar: Kurti e ka draftin e Asociacionit, por po e mbanë fshehur

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një takim me gazetarë ka folur edhe për nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo ndryshe siç quhej nga kryeministri Albin Kurti me termin serb “Zajednica”.

Diplomati amerikan tha se Kurti e ka draftin e Asociacionit, por që sipas tij ai po e mban fshehur.

Escobar, i cili që nga dje po qëndron në Prishtinë nuk ka zbuluar nëse draft-statuti për Asociacionin është hartuar nga Kosova apo Bashkimi Evropian, mirëpo ka theksuar se ai draft ekziston, por po fshihet.

Në këtë takim me gazetarë, emisari Escobar ka theksuar se kreu i Qeverisë ka dy ditë kohë që t’i përgjigjet kërkesave që i janë paraqitur në takim, ndërsa ka shtuar se deri të premten së bashku me emisarin sllovak, Miroslav Lajçak do të raportojnë nëse ka pasur përparim apo jo.

Ndërkohë, i pari i Qeverisë nuk ju ka dhëne dy emisarëve ende datë e as udhërrëfyes për zgjedhjet e reja në komunat veriore.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor ka potencuar në këtë takim se nuk ka plan B të Marrëveshjes së Ohrit, dhe se ajo duhet të zbatohet, e se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të nisë menjëherë.

Ai gjithashtu tha se Serbia të mos lobojë kundër Kosovës, dhe i bëri thirrje Listes Serbe të marrë pjesë në zgjedhje, pa parakushte.

“Kosova dhe Serbia po pengojnë zbatimin e marrëveshjes. Kosova menjëherë të nisë themelimin e Asociacionit, Serbia të mos lobojë kundër Kosovës. Mbështesim thirrjet e BE-se për deskalim. Thërrasim Listen Serbe të merr pjesë në zgjedhje, pa parakushte”, tha Escobar.

Theksojmë se në takimin dy orësh që emisari evropian dhe ai amerikan patën me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, i paraqitën atij tri kërkesa, por Lajçak tha se lidhur me kërkesën për zgjedhje nuk u pajtuan.

“Ne prezantuam propozimin në kuadër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri pika. I pari de-eskalimi, i dyti zgjedhjet e reja të shpejta dhe i treti kthimi te dialogu. Patëm një diskutim të gjatë, të sinqertë dhe të vështirë me kryeministrin për këto pika. Nëse do të kishim arritur një dakordim [për zgjedhjet], do e thoja”, tha Lajçak para gazetarëve mbrëmë.