Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës ka afat deri më 13 qershor të këtij viti që t’i pajisë konsumatorët e energjisë elektrike në veri me njësor dhe të bëjë faturimin, ndryshe rrezikon ta shkelë Kushtetutën.
Sipas njohësit të Kushtetutës, Enver Hasani, moszbatimi i këtij aktgjykimi nuk parasheh asnjë sanksion penal për qeverinë. Mirëpo, mos zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese paraqet shtetin me probleme serioze të sundimit të ligjit dhe rrugën e vet drejt demokracive liberale perëndimore.
“Në disa vende vetë ekzekutivi është garant i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nacionale. I tillë është rasti, ta zëmë, me Austrinë. Në Kosovë ky nuk është rasti: në vendin tonë, vetëm Presidenti i Republikës ka sanksion kushtetues për shkelje të Kushtetutës”, tha Hasani për Paparacin.
Tutje ai shpjegon se përveç sanksionit kushtetues, ka vende që parashikojnë me legjislacion penal edhe sanksione penale për moszbatim të vendimeve të gjykatave kushtetuese. I tillë është rasti me Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Rusinë dhe disa vende të tjera.
Gjykata Kushtetuese ka obliguar Qeverinë e Kosovës që brenda gjashtë muajsh, t’i dërgojnë faturat e shpenzimit të energjisë elektrike shtëpi për shtëpi në katër komuna në veri të vendit të banuara kryesisht me serbë.
Aktgjykimi është nxjerrë 28 dhjetorit 2021 dhe është publikuar më 13 janar të këtij viti bazuar në parashtresën e deputetes Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetëve tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rekomandimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 6 majit 2021.
Për këtë vendim nuk ka reaguar ekzekutivi e as opozita.







