Enis Qerka për punën e drogës: S’ka asgjë të vërtetë, makina në të cilën udhëtoja ishte në ‘stop listë’

Ish-këshilltari i Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, ka treguar versionin e tij për gjetjen e 113 kilogramëve drogë dhe shkarkimin nga detyra sot.

Emri i Enis Qerkës u kthye sërish në publik, pasi u bë këshilltar i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi. Me drejtësinë, ai deri tash ka pasur veç probleme. U përfshi në një rrahje krah Gani Thaçit, vëllait të presidentit Hashim Thaçi. Herën e fundit kur ai është përmendur, ka qenë arrestimi i tij për 113 kilogramë drogë.

“Tash e dy vite pata vendosë në heshtje me kaluar këtë punë. Nuk kam dashur të prononcohem për medie pas kam pasur një vendim për pushim të hetimeve ndaj meje dhe vllaut tim. Unë kam qëlluar aksidentalisht në atë makinë, shofer ishte vllau im. Kemi pasur një takim në Maqedoni. Kur kemi arritur në kufi, droga nuk ka qenë në veturë“, ka thënë ai në DPT te Fidani në T7.

“Unë jam akuzuar gjoja se në Maqedoni kam dashur të shkoj të shkatërroj veturën. Thuajse në Kosovë nuk kam ku ta shkatërroj. Për këtë akuzohem. Vllau e kishte huazuar. Kur kemi arritur të kufiri, unë kam qenë pasagjer, na ndali policia dhe na murrën. Vetura ishte në stop listë. Na shoqëruan në stacion. Jemi marrë në pyetje, e kemi pa që po akuzohemi për fshehje të veturës. Kemi ardhur në stacionin në Prishtinë. Takimi atje ka qenë shumë me rëndësi. Jemi nisur me vëllanë për Maqedoni. Vetura nuk ka qenë e jona. Krejt kjo është politike. Ta dija që është veturë me të kaluar kriminale nuk kisha shkuar në kufi. Çfarë logjike është të shkoj në Maqedoni të fsheh veturën. Veturën e kemi marrë në shfrytëzim.”, thotë ai.