Zëvendëskomandanti i rajonit policor të veriut, Veton Elshani ka thënë se aksioni i sotëm për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë është kryer “pasi kanë marrë informacione” se këto objekte funksionojnë pa licencë.

Në një aksion sinkron të autoriteteve të Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë hyrë në të 9 objektet e Postës Serbe në veri në orën 14:00, shkruan Ballkani.info.

Elshani paraprakisht ka konfirmuar se në këto objekte kanë hyrë në bazë të kërkesës së Organit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

“Sot rreth orës 14, policia ka kryer një aksion në 9 lokacione në veri të Kosovës. Pasi kemi marrë informacion dhe kërkesë nga autoriteti për rregullimin e komunikimit elektronik postar nga Prishtina se në veri të Kosovës ka zyre postare që nuk janë të licencuara, ose më saktë, të pa regjistruara”, tha Elshani.

Ai nuk ka specifikuar se çfarë saktësisht është marrë nga këto objekte në thasët e letrës që ka nxjerrë policia, por supozohet se bëhet fjalë për dokumentet e Serbisë.

Ai gjithashtu nuk mundi të konfirmonte nëse paratë ishin sekuestruar.

“Procedura policore është e tillë që nëse gjejmë ndonjë provë, atëherë i marrim dhe ia çojmë prokurorit dhe ai vendos se çfarë do të bëjë me to. Nuk mund të them se çfarë saktësisht është sekuestruar, ndoshta vula dhe dokumente. Varet nga ajo që gjendet”, tha Elshani para mbylljes së objektit të shtatë. Kjo është zyra kryesore postare në Mitrovicë. /Ballkani.info/